Siljanovska-Davkova: Shtetësia e dyfishtë duhet të kufizohet edhe për presidentin dhe ministrat
Në bujën e debatit politik për shtetësinë e dyfishtë nuk ka mbetur pa u përfshirë as presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova. Ajo thotë se kufizimi përveç deputetëve duhet të vlejë edhe për ministrat dhe presidentin, transmeton Portalb.mk. Çështja e shtetësisë së dyfishtë ka hapur debat politik pasi VMRO–DPMNE propozoi ndryshime ligjore për kufizimin e […]
Në bujën e debatit politik për shtetësinë e dyfishtë nuk ka mbetur pa u përfshirë as presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova. Ajo thotë se kufizimi përveç deputetëve duhet të vlejë edhe për ministrat dhe presidentin, transmeton Portalb.mk.
Çështja e shtetësisë së dyfishtë ka hapur debat politik pasi VMRO–DPMNE propozoi ndryshime ligjore për kufizimin e saj te deputetët, ndërsa LSDM akuzoi se disa prej tyre kanë shtet rezervë.
Në diskutim nuk ngeli pa u përfshirë edhe presidentja, e cila thotë se kufizimi duhet të përfshijë edhe presidentin dhe ministrat.
“Ekziston mundësia që me ligj të kufizohet shtetësia e dyfishtë dhe mendoj se kjo duhet të vlejë edhe për presidentin dhe ministrat”, tha Gordana Siljanovska–Davkova.
Ajo rikujtoi se Kushtetuta garanton shtetësinë maqedonase, por Ligji për shtetësi parashikon edhe mundësinë e shtetësisë së dyfishtë.
Në nenin 2 të Ligjit për shtetësi thuhet:
Shtetasi i Maqedonisë mund të ketë edhe shtetësinë e një shteti tjetër. Shtetasi i Maqedonisë që ka shtetësi të një shteti tjetër, në vend konsiderohet ekskluzivisht si shtetas i Maqedonisë, përveç nëse me marrëveshje ndërkombëtare përcaktohet ndryshe.
Megjithatë, presidentja rikujton se në legjislacion tashmë ekzistojnë kufizime për funksione të caktuara që janë të rëndësishme për sigurinë e shtetit.
Si shembull përmendi Ligjni për punët e jashtme i cili nuk lejon që ambasadorët të kenë shtetësi të dyfishtë, ndërsa e njëjta vlen edhe për funksione të ndjeshme si drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar kanë njoftuar se ndryshimet në Ligjin për deputetët, me të cilat propozohet ndalimi i shtetësisë së dyfishtë për deputetët, do të bllokohen. BDI paralajmëroi gjithashtu se është e mundur që ligjin ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese.
LSDM-ja opozitare dorëzoi edhe një propozim-ligj të vetin, me të cilin parashihet që të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, e jo vetëm deputetët, të kenë ekskluzivisht shtetësi maqedonase.
Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje deputetëve që para miratimit të ndryshimeve ligjore të konsultohen me ekspertë të së drejtës kushtetuese.