Stigma për vizitë te psikologu – Avdijaj: Pas pandemisë COVID-19 është rritur vetëdijesimi për shëndetin mendor

Kërkimi i ndihmës te psikologu ka qenë një çështje që përballej me paragjykime, por megjithatë tani është shënuar një rritje e vetëdijesimit për kujdes të shëndetit mendor ka pësuar rritje. Megjithëkëtë, psikologu Yll Avdijaj në një intervistë ka thënë se ekziston ende stigma për vizita te psikologu, duke potencuar se kur e ndjen këtë nevojë

Jan 4, 2026 - 09:30
 0
Stigma për vizitë te psikologu – Avdijaj: Pas pandemisë COVID-19 është rritur vetëdijesimi për shëndetin mendor
Stigma për vizitë te psikologu – Avdijaj: Pas pandemisë COVID-19 është rritur vetëdijesimi për shëndetin mendor

Stigma për vizitë te psikologu – Avdijaj: Pas pandemisë COVID-19 është rritur vetëdijesimi për shëndetin mendor

Kërkimi i ndihmës te psikologu ka qenë një çështje që përballej me paragjykime, por megjithatë tani është shënuar një rritje e vetëdijesimit për kujdes të shëndetit mendor ka pësuar rritje.

Megjithëkëtë, psikologu Yll Avdijaj në një intervistë ka thënë se ekziston ende stigma për vizita te psikologu, duke potencuar se kur e ndjen këtë nevojë, ata nuk zgjedhin vendin ku jetojnë por drejtohen tek psikologët në Prishtinë, e kjo krejt për shkak njohjeve me njerëzit prej nga vijnë.

“Në fakt, kërkimi i ndihmës te psikologu ose te profesionistët e shëndetit mendor, përfshirë edhe psikiatrin dhe psikoterapistin, i cili është një profil më i ri në Kosovë dhe që dallon nga psikologu dhe psikiatri. Normalisht që kërkesat çdo herë janë duke u rritur, për arsye se ndoshta njerëzit kanë filluar të vetëdijësohen pak më shumë se si ta ruajnë shëndetin mendor, por edhe për ankesat ose problemet me të cilat përballen në jetën e përditshme. Në një mënyrë, sikur kanë filluar të gjejnë një derë ku mund t’i adresojnë këto probleme, për dallim nga vitet e mëhershme kur ka pasur më shumë stigmë. Nuk po them që tani nuk ka stigmë, por nëse marrim si shembull një vend si Prishtina, që është më i madh, gjasat për të kërkuar ndihmë janë më të larta, për dallim nga vendet e tjera që janë më të vogla, ku stigma ende ekziston. Ndodh që njerëzit më parë të vijnë në Prishtinë për ta trajtuar një çështje, qoftë te psikologu, psikiatri apo psikoterapisti, sesa në vendin e tyre nga vijnë, për shkak të rrethanave, aspekteve sociale, njerëzve ose njohjeve, pasi nuk ndihen ende të gatshëm të përballen me një gjë të tillë”, tha ai.

Por është koha e pandemisë me COVID-19 që “bindi” qytetarët për t’iu drejtuar psikologëve.

“Fluksin më të madh në këtë drejtim e ka marrë që nga koha e pandemisë, edhe pse kanë kaluar disa vite. Ne prapë e ritheksojmë se aty ka qenë momentumi apo vrulli më i madh, kur njerëzit kanë filluar të kërkojnë ndihmë ose t’i marrin më seriozisht çështjet e shëndetit mendor. Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë rriten nevojat dhe kërkesat, por rritet edhe vetëdija, sepse njerëzit janë më të kyçur në rrjetet sociale dhe vazhdimisht shikojnë video të huaja dhe vendore. Për shembull nga influencuesit dhe njerëzit e njohur, të cilët kanë kaluar periudha të ndryshme dhe shërbejnë si modele”, theksoi ai.

Ndërsa për grupmoshat që kërkojnë ndihmë të psikologu, Avdijaj tha se moshat që nga 20-vjeç deri në 40 vjeç janë më të dalluara.

“Sa i përket grupmoshave, fluksi më i madh është te moshat nga të 20-at dhe 30-at deri në 40 vjeç. Ndoshta sepse këto janë vitet e përpjekjeve të të rinjve për ta gjetur veten, ose nëse flasim për fillimet, janë ato krizat e identitetit: kush jam unë, kush do të jem dhe çfarë do të bëj në jetë, e të tjera. Po ashtu, vitet e 30-ta janë vite kur tentohet të krijohet një lloj stabiliteti, si gjetja e partnerit, punës, angazhimit, kapitalit e të tjera, dhe shpeshherë përballen me vështirësi. Kryesisht, këto grupmosha, të paktën në punën që unë e bëj, kanë përbërë fluksin më të madh. Mirëpo nuk duhet të harrojmë edhe kolegët e tjerë që punojnë me adoleshentë ose me fëmijë, sidomos ata me çrregullime të spektrit të autizmit ose çrregullime të tjera”, nënvizoi ai.

E për ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor, Avdijaj tha se kohëve të fundit intelegjenca artificiale po përdoret më shumë për hulumtime dhe konsulta, por që sipas tij, më e duhur është konsultimi me profesionist të kualifikuar.

“Pasi që ekziston kjo mundësi dhe ky profesion, atëherë është shumë e mirëseardhur të konsultohesh. Sot jemi para një realiteti tjetër, që janë rrjetet sociale ose platformat si ChatGPT, ku ka një fluks shumë të madh njerëzish që po konsultohen dhe po marrin këshilla të vazhdueshme, qoftë për shëndetin fizik apo atë mendor. Nuk ka asgjë të keqe të hulumtosh dhe të marrësh informacione të ndryshme, por duhet pasur kujdes, sepse shpeshherë informacionet aty nuk janë të bazuara në saktësi. Ato janë një përmbledhje e shumë informacioneve të futura në internet, prandaj është më mirë të takosh një profesionist të kualifikuar, i cili ka përvojë në këtë fushë, sesa të marrësh informacione jo profesionale ose të tentosh ta rregullosh veten jashtë kornizës profesionale”, tha psikologu.

Sa i përket ndikimit të stresit në anën psikologjike tha se stresi ka edhe anën pozitive dhe tregoi se si menaxhohet ajo.

“Kur flasim për stresin, duhet kuptuar se stresi ka edhe një anë të shëndetshme. Stresi është një mekanizëm që na shërben në jetën tonë, sepse nëse nuk do të kishim stres, punët e përditshme nuk do të mund t’i rregullonim asnjëherë. Pra, stresi e ka edhe anën pozitive. Mirëpo, stresi mund të akumulohet dhe të bëhet i tepërt, dhe në këto situata nevojitet që personi të jetë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet. Duhet pasur parasysh se stresi nuk zhduket plotësisht; ai është një mekanizëm që aktivizohet në kohë dhe rrethana të caktuara, kur përballemi me çështje specifike. Ajo që mësohet dhe punohet në aspektin terapeutik është mënyra se si të menaxhohet stresi, dhe kjo është puna që bëjnë psikologët dhe psikoterapistët”, shtoi Avdijaj./Ekonomia Online