Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Shkup do të ndihmojnë MASh-in në përmirësimin e operacioneve digjitale

Studentët nga Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FShKI) në Shkup do ta ndihmojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në avancimin e operacioneve digjitale dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të arsimit. Ministrja Vesna Janevska dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Boro Jakimovski, sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi, ku studentët do të […]

Mars 10, 2025 - 20:00
 0  3
Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Shkup do të ndihmojnë MASh-in në përmirësimin e operacioneve digjitale
Ministrja Vesna Janevska dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Boro Jakimovski. Foto: MASH

Studentët nga Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FShKI) në Shkup do ta ndihmojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në avancimin e operacioneve digjitale dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të arsimit. Ministrja Vesna Janevska dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Boro Jakimovski, sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi, ku studentët do të ofrojnë mbështetje për mirëmbajtjen e vazhdueshme të disa prej sistemeve informative dhe platformave digjitale në dispozicion të ministrisë dhe do të marrin pjesë në krijimin dhe implementimin e zgjidhjeve të reja tekniko-teknologjike dhe shërbimeve digjitale në procesin arsimor, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, ata do të duhet të presin edhe disa vite për ndërtesë të re në të cilën do të marrin njohuritë e tyre. Ministrja Janevska konfirmoi sot se objekti do të ndërtohet gjatë mandatit të saj.

“Procedura është në vazhdim. Ajo që mund të them me siguri është se objekti i FShKI-t do të ndërtohet gjatë këtij mandati”, tha Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë nënshkrimit të memorandumit.

Janevska tha se në përputhje me marrëveshjen, fakulteti do të organizojë dhe realizojë aktivitete edukative në formë të trajnimeve, punëtorive dhe seminareve për ngritjen profesionale të punëtorëve në ministri, ndërsa nga ana tjetër ministria do të mbështesë zhvillimin praktik të studentëve nga ky fakultet.

Sipas Janevskës, në procesin e një epoke teknologjike dhe digjitalizimit të nevojshëm të shoqërisë, që nënkupton shërbim më të shpejtë, më efikas, por edhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit, ky memorandum është i një rëndësie të madhe sepse kapacitetet e Ministrisë janë vërtet në nivel shumë të ulët.

“Mendoj se këto nuk janë vetëm dobësi të Ministrisë së Arsimit, janë dobësi të gjithë administratës në vend dhe do të theksoj ato që kemi. Kemi shumë të punësuar, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka kapacitete për të përmbushur nevojat e saj ditore dhe për të ofruar shërbime për qytetarët, në këtë rast shkollat ​​dhe të gjitha institucionet e tjera arsimore”, tha ministrja.

Studentët, tha ajo, do të kenë mundësinë të shohin se si funksionon një institucion publik, përkatësisht kjo Ministri.

“Nga ndihma e tyre do të marrim metoda, instrumente, mënyra dhe asistencë cilësore, ndihmë reale nga specialistë shumë të rrallë të IT-së që kemi në Ministri. Studentët do të marrin pjesë në krijimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të reja tekniko-teknologjike në procesin arsimor, dhe njohuritë e tyre pritet të zgjerojnë listën e shërbimeve digjitale që do të jenë në dispozicion të qytetarëve, pra nxënësve, mësuesve dhe prindërve”, shtoi ajo.

Dekani i FShKI-t, nga ana tjetër, tha se institucioni arsimor deri më tani ka ndihmuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por që tani e tutje në aktivitete do të përfshihen edhe studentët, për të cilët, siç tha ai, është i bindur se kanë potencial jo vetëm të njohin, por edhe të krijojnë zgjidhje për sfidat komplekse në sferën e TI-së.