Tabaku: Korporata e Investimeve, një mjet abuziv që po shkatërron ekonominë shqiptare

Deputetja Jorida Tabaku ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku denoncon procedurat e Korporatës së Investimeve, duke i cilësuar ato si një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë. Sipas Tabakut, këto procedura kanë pasoja të rënda për ekonominë dhe për qytetarët shqiptarë, duke shkelur të drejtat e pronarëve të ligjshëm dhe duke […]

Jan 9, 2025 - 18:00
 0  4
Tabaku: Korporata e Investimeve, një mjet abuziv që po shkatërron ekonominë shqiptare

Deputetja Jorida Tabaku ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku denoncon procedurat e Korporatës së Investimeve, duke i cilësuar ato si një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë. Sipas Tabakut, këto procedura kanë pasoja të rënda për ekonominë dhe për qytetarët shqiptarë, duke shkelur të drejtat e pronarëve të ligjshëm dhe duke përqendruar burimet në pak duar.

“Korporata e Investimeve po kthehet në një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë. Në vend që të përqendrohet në detyrat themelore të një shteti demokratik, si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia, shteti shqiptar ka transferuar këto përgjegjësi te koncesionet private,” theksoi Tabaku në videon e saj.

Deputetja thekson se përkushtimi për mbrojtjen e pronës publike dhe private ka qenë gjithnjë një prioritet në angazhimin e saj politik.

“Biznesi i lejeve të ndërtimit dhe uzurpimi i pronave publike është një proces i pandershëm dhe i korruptuar. Qeveria po shkel të drejtat e pronës dhe të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, duke i trajtuar trojet dhe pronat si një uzurpator ordiner, ” vijoi ajo.

Tabaku paralajmëron se praktikat aktuale jo vetëm që dëmtojnë ekonominë kombëtare, por edhe thellojnë pabarazinë në vend.

“Ekonomia shqiptare ka nevojë për frymëmarrje, për konkurrencë dhe për një treg të drejtë. Përqendrimi i lejeve dhe uzurpimi i pronave në duar të pakta po i sjell dëm të jashtëzakonshëm vendit tonë, ” tha Tabaku.

Në përfundim të reagimit, deputetja e PD-së bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre praktikave. “Jam e bindur që kjo praktikë korruptive nuk mund të tolerohet dhe pas 11 majit do të jetë një nga veprimet e para që ndalohet,” përfundoi Tabaku.