sh-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara, që presidentja Justina Shiroka-Pula ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim, nuk mund të ndryshohet në formën aktuale. Sipas tij, Kuvendi ka dy rrugë: ta rimiratojë ligjin ashtu siç është, ose ta nisë procesin nga zero.
Duke folur në emisionin “Five” në TV Dukagjini, Kryeziu shpjegoi se presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend vetëm një herë. Nëse deputetët e miratojnë sërish me së paku 61 vota, ligji hyn në fuqi drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për dekretim nga presidentja.
“Ky ligj nuk ka të drejtë të amandamentohet sepse është i suspenduar”, tha Kryeziu. Ai shtoi se, nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes, duhet të nisë një proces i ri ligjvënës që kalon nëpër të gjitha procedurat parlamentare.
Sipas tij, Kushtetuta i jep presidentit dy arsye për kthimin e një ligji: kur vlerëson se cenohet rendi juridik dhe kushtetues, ose kur cenohen të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.
Votimi pritet sot
Deklarata vjen para seancës së sotme të Kuvendit, ku në rend dite është rishqyrtimi i ligjit. Të enjten, Kuvendi e futi atë në rend dite me 79 vota për, me kërkesë të PDK-së, por seanca u ndërpre pas pauzës për mungesë deputetësh.
Neni 80 i Kushtetutës parasheh që Kuvendi vendos me shumicën e votave të të gjithë deputetëve për ligjin e kthyer nga presidenti. Pas kësaj, ligji konsiderohet i shpallur.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u ka kërkuar deputetëve ta miratojnë ligjin në versionin e 6 tetorit. Ajo është zotuar se PDK-ja do ta paraqesë nismën për ndryshime të hënën, më 16 nëntor, dhe se ato do të përfundojnë brenda dy javësh. Vetëvendosja ka thënë se do ta votojë sërish ligjin, LDK-ja është kundër, ndërsa Aleanca e mbështet rivotimin.
Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, kanë kërkuar konsultime para çdo votimi. Ato paralajmërojnë se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




