Një tender i Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), që ka të bëjë me shërbimin e larjes së automjeteve për nevojat e institucioneve të vendit, është bërë objekt ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Kompania AJANI & ADAMI SH.P.K. ka dorëzuar ankesë zyrtare në OSHP, duke kundërshtuar vendimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit për eliminimin e ofertës së saj dhe rekomandimin për dhënie të kontratës ndaj një operatori tjetër ekonomik.

Ajo që bie në sy në këtë aktivitet prokurimi është dallimi në vlerën e dy ofertave.

Sipas dokumentacionit të dorëzuar në OSHP, kompania AJANI & ADAMI SH.P.K. kishte ofertuar me 17,810 euro, ndërsa kompania EDA CARS AUTOMOBILE L.L.C., e rekomanduar për kontratë, kishte paraqitur ofertë në vlerë prej 21,047.90 eurosh.

Pra, oferta e kompanisë së eliminuar ishte 3,237.90 euro më e lirë se ajo e operatorit të rekomanduar, shkruan ORAinfo.

Pse u eliminua kompania?

Në ankesën e saj, AJANI & ADAMI kundërshton arsyetimin e AQP-së për eliminimin nga gara, i cili lidhet me dokumentacionin tatimor të kompanisë dhe marrëveshjet për shlyerjen e detyrimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas dokumenteve, kompania kishte lidhur një marrëveshje me ATK-në më 8 maj 2026, ndërsa kishte poseduar edhe një vërtetim tatimor të datës 1 korrik 2026.

Ndërkohë, më 19 tetor 2026 ishte lidhur një marrëveshje tjetër me ATK-në, ndërsa më 22 tetor ishte lëshuar vërtetimi i ri tatimor.

AQP, përmes letrës B42 të datës 26 tetor 2026, kishte arsyetuar eliminimin duke iu referuar dokumentacionit të ri tatimor dhe datës së marrëveshjes.

Por kompania pretendon se dokumentet duhet të shqyrtohen në tërësi dhe se autoriteti kontraktues duhet të verifikojë nëse marrëveshja e parë ishte aktive dhe e respektuar në periudhën relevante të këtij tenderi.

Kërkohet anulimi i vendimit të AQP-së

Në ankesën e dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kompania pretendon se gjatë këtij aktiviteti të prokurimit janë cenuar parimet e ekonomicitetit, efikasitetit, transparencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Ajo kërkon që OSHP të shqyrtojë dokumentacionin e tenderit, arsyetimin e eliminimit dhe mënyrën se si janë vlerësuar ofertat.

Po ashtu, kompania kërkon që të verifikohet nëse kriteret e njëjta të pranueshmërisë janë zbatuar edhe ndaj operatorit të rekomanduar për kontratë.

Në mbështetje të pretendimeve të saj, AJANI & ADAMI SH.P.K. i është referuar edhe disa vendimeve të mëparshme të OSHP-së, që kanë trajtuar çështje të dokumentacionit tatimor dhe marrëveshjeve për shlyerjen e borxheve.

Çfarë kërkon kompania nga OSHP-ja?

Në kërkesën përfundimtare, kompania kërkon anulimin e vendimit të autoritetit kontraktues dhe kthimin e aktivitetit të prokurimit në rivlerësim, me arsyetimin se dokumentet ekzistuese duhet të shqyrtohen në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Deri në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e OSHP-së, pretendimet e kompanisë mbeten objekt i procedurës së ankesës. Nuk ka ende një konstatim përfundimtar të organit shqyrtues lidhur me ligjshmërinë e vendimit të AQP-së. /ORAinfo/

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.