Teatri i ardhshëm i Operës dhe Baletit të Kosovës pritet të sjellë një ndërthurje të trashëgimisë kulturore shqiptare me arkitekturën bashkëkohore.

Projekti, i cili është frymëzuar nga xhubleta shqiptare, po zhvillohet në bashkëpunim me studion e njohur daneze të arkitekturës BIG – Bjarke Ingels Group.

Detaje nga ecuria e projektit ka bërë të ditura kompania ALB-Architect, pjesë e ekipit projektues, e cila ka ndarë informacione nga prezantimi i fundit i punës për këtë objekt.

Sipas ALB-Architect, xhubleta, si një prej simboleve të identitetit kulturor shqiptar, është vendosur në qendër të konceptit arkitekturor, duke u shndërruar në frymëzim për një institucion të rëndësishëm kulturor të vendit.

“Në këtë projekt, trashëgimia jonë kombëtare merr formë përmes arkitekturës bashkëkohore. Një element i identitetit tonë kulturor shndërrohet në frymëzim për një institucion që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Projekti synon që përmes gjuhës moderne arkitekturore të promovojë identitetin shqiptar, duke e kthyer ndërtesën e ardhshme të Teatrit të Operës dhe Baletit në një nga objektet më të rëndësishme kulturore dhe arkitekturore të Kosovës. /ORAinfo/

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.