Tragjedia ajrore në Indi/ Trump: Një nga aksidentet më të këqija në histori

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik ajror në Indi, ku një avion me 242 persona në bord u rrëzua dhe shpërtheu në flakë pak minuta pas ngritjes nga pista e aeroportit. Në një deklaratë publike, Trump tha se vendi i tij do t’u ofrojë gjithçka që mundet autoriteteve […]

qershor 12, 2025 - 22:30
 0  4
Tragjedia ajrore në Indi/ Trump: Një nga aksidentet më të këqija në histori

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik ajror në Indi, ku një avion me 242 persona në bord u rrëzua dhe shpërtheu në flakë pak minuta pas ngritjes nga pista e aeroportit.

Në një deklaratë publike, Trump tha se vendi i tij do t’u ofrojë gjithçka që mundet autoriteteve indiane pas “aksidentit të tmerrshëm”.

“Askush nuk kishte idenë se çfarë ndodhi, në fillim dukej se fluturonte mirë”, ishte deklarata fillestare e Trump.

Më pas Trump tha: “Besoj se është një nga aksidentet më të këqija në historinë e aviacionit”.

Të paktën 204 persona humbën jetë sot pasi një avion i Air India – që po fluturonte drejt Londrës me 242 njerëz në bord – u rrëzua disa minuta pas ngritjes nga aeroporti në qytetin perëndimor të Indisë, Ahmedabad, të enjten.

Trupat e viktimave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes nga ekipet e shpëtimit, me ndihmën e ushtrisë së Indisë. Por, nuk dihet se sa i përkasin viktimave që gjendeshin në avion dhe sa janë nga personat që gjendeshin në vendin ku u përplas avioni.

Ndërkaq, një zyrtar tjetër policor i tha AFP-së se pret që të ketë “më shumë viktima”, për shkak se avioni u rrëzua mbi një zonë të banuar.

Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, tha Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se ai u rrëzua në një zonë civile pranë aeroportit.

Reuters raporton se, në mesin e 242 udhëtarëve ishin 217 të rritur dhe 11 fëmijë. Nga këta, 169 ishin shtetas indianë, 43 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez.

Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar24, avioni ishte Boeing 787-8 Dreamliner, një nga avionët e udhëtarëve më modernë në përdorim.

“Në këtë çast po e verifikojmë hollësitë dhe do të njoftojmë për to”, tha Air India në platformën X.

Sipas kanaleve televizive, avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Një kanal shfaqi pamjet e avionit duke fluturuar mbi një zonë banimi, përpara se të zhdukej nga ekrani dhe një re e madhe zjarri të ngrihej në qiell përtej shtëpive.

Sipas kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Ahmedabad, avioni u nis në orën 13:39 me kohën lokale nga pista 23. Ai bëri një thirrje emergjente “Mayday”, por më pas nuk u dëgjua asnjë përgjigje nga avioni.

Flightradar24 tha gjithashtu se sinjali i fundit nga avioni u mor disa sekonda pas ngritjes.

“Avioni i përfshirë është një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrim VT-ANB,” u tha në deklaratë.