Transportuesit privat me ultimatum: “Pa shlyerjen e borxhit, nuk ka autobusë”, NTP nën presion
Banorët e Shkupit përsëri po përballen me probleme serioze në transportin publik, pasi disa nga kompanitë private vendosën të ndalojnë transportin për shkak të borxheve të papaguara nga Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP). Sipas njoftimeve të transportuesve privatë, autobusët nuk do të kthehen në rrugë derisa të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura, gjë që […]
Banorët e Shkupit përsëri po përballen me probleme serioze në transportin publik, pasi disa nga kompanitë private vendosën të ndalojnë transportin për shkak të borxheve të papaguara nga Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP). Sipas njoftimeve të transportuesve privatë, autobusët nuk do të kthehen në rrugë derisa të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura, gjë që prish ndjeshëm funksionimin e transportit publik në kryeqytet, raporton Plusinfo, transmeton Portalb.mk.
Kompanitë private pretendojnë se NTP-ja ka borxhe ndaj tyre që nga qershori i këtij viti, për shkak të të cilave ata janë vënë në gjendje të vështirë financiare. Edhe pse Këshilli i Qytetit të Shkupit para pak kohësh ka marrë vendim për rritjen e pagesës për kilometër për transportuesit privatë për 20 denarë, ata konsiderojnë se ky është vetëm një hap i vogël përpara. Kushti bazë i tyre për riaktivizimin e autobusëve mbetet shlyerja e plotë e borxheve.
“Rritja e pagesës për kilometër është e mirëseardhur, por nuk na zgjidh problemet kryesore. Pa shlyerjen e borxheve nuk mund të punojmë, sepse kemi detyrime edhe ndaj furnitorëve tanë”, thanë përfaqësues të kompanive private pas miratimit të tarifës së re.
Në seancën e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, për herë të parë që nga viti 2015 është miratuar vendimi për rritjen e pagesave për transportuesit privatë. Edhe pse kërkuan rritje prej 30 denarë për kilometër, Këshilli miratoi rritje prej 20 denarë, që u vlerësua si hap pozitiv, por i pamjaftueshëm për zgjidhjen e krizës aktuale.
Ndërprerja e transportit privat ka shkaktuar mbingarkesë dhe vonesa në muajt paraprak, ndërsa situata pritet të përkeqësohet sidomos gjatë orëve të pikut të mëngjesit dhe pasdites. Reduktimi i numrit të autobusëve në linja krijon kaos shtesë, ndërkohë që qytetarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe efikase nga autoritetet e qytetit.
Transporti publik ka qenë disa herë në fokusin e publikut në periudhën e kaluar, pasi transportuesit privatë në shenjë revolte larguan autobusët nga qarkullimi, duke kërkuar rritje të çmimit për kilometër të kaluar.