VMRO-DPMNE: Abazi e shpëtoi Filipçen nga përgjegjësia për spitalin modular në Tetovë
VMRO-DPMNE: Abazi e shpëtoi Filipçen nga përgjegjësia për spitalin modular në Tetovë VMRO-DPMNE ka akuzuar kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, se para largimit nga detyra e ka përmbyllur, s...
VMRO-DPMNE: Abazi e shpëtoi Filipçen nga përgjegjësia për spitalin modular në Tetovë
VMRO-DPMNE ka akuzuar kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, se para largimit nga detyra e ka përmbyllur, siç thonë nga partia, punën e tij në interes të LSDM-së dhe BDI-së, duke e shpëtuar Venko Filipçen nga përgjegjësia për rastin e spitalit modular në Tetovë.
Sipas reagimit të partisë, spitalet modulare gjatë pandemisë së COVID-19 u vendosën nëpër vend si “pajisje urbane”. Për këtë qëllim, qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së e ndryshoi me procedurë urgjente Ligjin për ndërtim, duke i mundësuar Ministrisë së Shëndetësisë të jepte miratime për vendosjen e tyre.
VMRO-DPMNE pretendon se spitalet ishin blerë si mallra dhe jo si objekte të destinuara për veprimtari shëndetësore, ndërsa specifikimi teknik ishte përgatitur nga një person i emëruar drejtpërdrejt nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas partisë, Banka Botërore kishte kërkuar leje për vendosjen dhe përdorimin e spitaleve modulare, si dhe dokument nga Kadastra për të dëshmuar qëndrueshmërinë e projektit. Mirëpo, as komuna dhe as Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk mund të lëshonin leje, pasi, siç pretendohet, procedura ligjore nuk ishte respektuar.
Në reagim thuhet se Kadastra kishte refuzuar regjistrimin e objekteve për shkak se mungonte raporti i mbikëqyrjes, i parashikuar me nenin 74 të Ligjit për ndërtim.
Duke iu referuar tragjedisë së 8 shtatorit 2021 në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, VMRO-DPMNE pohon se drejtori i atëhershëm ekonomik i spitalit, Artan Etemi, kishte kundërshtuar vendosjen e objektit për shkak të mungesës së lidhjeve infrastrukturore, mbikëqyrjes dhe mjeteve financiare.
“Pavarësisht kësaj, Filipçe vendosi që spitalet modulare të viheshin në përdorim. Pikërisht për këtë arsye, të akuzuarit deklaruan se ai duhej të ishte bashkë me ta në bankën e të akuzuarve”, thuhet në komunikatë.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se lënda, e hapur më 10 shtator 2021, ishte mbajtur për një kohë të gjatë në sirtarët e prokuroreve Vilma Ruskovska dhe Elizabeta Josifovska, ndërsa në fund Islam Abazi e kishte mbrojtur Filipçen nga përgjegjësia.
Partia e akuzon Abazin se edhe në raste të tjera ka vepruar në interes të Zoran Zaevit, Venko Filipçes dhe Ali Ahmetit. Njëherazi, VMRO-DPMNE pretendon se Filipçe po përpiqet t’ia paraqesë opinionit si “suksese” periudhën dhe punën e tij si ministër i Shëndetësisë.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.