Vuçiq konfirmon se do të shkojë në Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të vizitojë Moskën në muajin maj të vitit të ardhshëm, duke shënuar vizitën e parë në Rusi që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë. Deklarata është bërë pas ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores mbi

Nëntor 20, 2024 - 05:00
 0  6
Vuçiq konfirmon se do të shkojë në Moskë
vuciq-konfirmon-se-do-te-shkoje-ne-moske

vuciq-konfirmon-se-do-te-shkoje-ne-moske

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të vizitojë Moskën në muajin maj të vitit të ardhshëm, duke shënuar vizitën e parë në Rusi që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.

Deklarata është bërë pas ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, shkruan nova.rs.

“Nëse nuk ndodh fundi i botës – ndonëse nuk jam i sigurt, por shpresoj që kjo të mos ndodhë – do të ishte nder i madh për mua të jem në Sheshin e Kuq për këtë përvjetor historik”, ka thënë ai.

Vuçiq ka theksuar se për këtë çështje ka diskutuar edhe me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, i cili gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.

Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se më 9 maj të vitit të ardhshëm synon të organizojë “festimin më të madh në histori,” duke promovuar vlerat patriotike dhe ushtarake.

Kjo vizitë e paralajmëruar vjen në një kohë kur Serbia përballet me kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian për politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Në Raportin e Progresit për Serbinë, BE-ja ka vënë në dukje mungesën e harmonizimit të politikave të Serbisë me ato të bllokut, veçanërisht përballë agresionit rus në Ukrainë.

Raporti ka ngritur shqetësime për bashkëpunimin e shtuar midis Beogradit dhe Moskës, ndërkohë që Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Kremlinin.

Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në vitin 2014, por marrëdhëniet e saj të veçanta me Rusinë kanë ngritur pikëpyetje për përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian. Refuzimi për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së dhe kultivimi i lidhjeve të forta me Moskën e kanë pozicionuar Serbinë në një situatë të ndërlikuar diplomatike, duke sfiduar përpjekjet e saj për t’u afruar me Perëndimin.