Xhandarmëria serbe dyshohet se hyri në Kosovë dhe rrëmbeu e plagosi një qytetar në afërsi të Leposaviqit
Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën e 1 nëntorit ka pranuar informacione për rrëmbimin dhe plagosjen nga xhandarmëria serbe e një qytetari serb të Kosovës në zonën e Leposaviqit. Sipas hetimeve fillestare, policia thotë se persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë nga Serbia, e kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, duke e dërguar […]
 

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën e 1 nëntorit ka pranuar informacione për rrëmbimin dhe plagosjen nga xhandarmëria serbe e një qytetari serb të Kosovës në zonën e Leposaviqit.
Sipas hetimeve fillestare, policia thotë se persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë nga Serbia, e kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, duke e dërguar më pas në Nish.
Policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me KFOR-in dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Komunikata:
Prishtinë, 03 nëntor 2025
Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet
 se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe. 
Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë.