12 organizata të shoqërisë civile u kërkojnë liderëve të BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës
Disa organizata të shoqërisë civile në vendin tonë i kanë bërë thirrje sot Bashkimit Evropian (BE) që t’i heqë Kosovës masat e mbetura ndëshkuese nga viti 2023. Në reagim thuhet se hënë se rrethanat, që fillimisht nxitën vendosjen e masave, tashmë “nuk ekzistojnë më”. Në një letër drejtuar BE-së, 12 organizata nënshkruese thanë se “jemi


Disa organizata të shoqërisë civile në vendin tonë i kanë bërë thirrje sot Bashkimit Evropian (BE) që t’i heqë Kosovës masat e mbetura ndëshkuese nga viti 2023. Në reagim thuhet se hënë se rrethanat, që fillimisht nxitën vendosjen e masave, tashmë “nuk ekzistojnë më”.
Në një letër drejtuar BE-së, 12 organizata nënshkruese thanë se “jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”.
Më tej thuhet se përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim.
“Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letërën e këtyre organizatave.
BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve në veri të vendit.
Në maj të këtij viti, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas njoftoi në vizitën e saj të parë në Kosovë se kishte filluar heqja graduale e masave.
Ajo nuk kishte shpjeguar asokohe se çfarë masash mund të jenë hequr, por Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime të saj në Bruksel se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Organizatat kosovare të shoqërisë civile thanë në letrën e tyre se “besojnë fuqishëm” se heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave “në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme”.
“Prandaj, me respekt ju bëjmë thirrje që Bashkimi Evropian të shqyrtojë heqjen e plotë të masave të mbetura. Hapat e parë për t’i tërhequr ato janë dëshmuar të suksesshëm, dhe një rikthim i plotë në normalitet do të ndërtonte mbi momentumin pozitiv të krijuar me organizimin e zgjedhjeve lokale. Populli i Kosovës vazhdon të përballet me sfida, dhe heqja e këtyre masave do të ofronte optimizëm të ri për rrugën tonë evropiane. Jemi të bindur se udhëheqja juaj do të bashkojë të gjitha shtetet anëtare rreth së mirës së përbashkët të BE-së dhe Kosovës”, thuhet më tej në letër.
Ato e përmendën pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të këtij muaji në veriun e banuar me shumicë serbe si hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e ktheu pushtetin në katër komunat me shumicën serbe duke i fituar secilën prej tyre në zgjedhjet e 12 tetorit, tri vjet pasi i kishte bojkotuar institucionet kosovare dhe i kishte braktisur zgjedhjet e mëparshme lokale, transmeton REL.
“Besojmë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më. Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon”, thuhet tutje në letrën e organizatave kosovare të shoqërisë civile.
Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.
Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t’ia heqë masat vendit të tyre, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë ditë më parë.
Letër e Hapur në Mbështetje të Heqjes së Masave të Mbetura të BE-së ndaj Kosovës
Organizatat nënshkruese:
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës (EPIK)
Instituti GAP për Studime të Avancuara
Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF)
Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Lëvizja FOL
Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC)
Demokracia për Zhvillim (D4D)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). /KP
