“2 Prilli”, Berisha: Sakrifica e martirëve të votës së lirë sot më aktuale se kurrë

Ish-kryeministri Sali Berisha përkujtoi sot 35-vjetorin e masakrës së 2 Prillit në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së martirëve të votës së lirë dhe rolin e tyre historik në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë. “Pas 35 viteve, prindërit dhe familjarët e martirëve kanë të hapur plagën e rëndë të humbjes së tyre dhe asgjë […]

Prill 2, 2026 - 13:00
“2 Prilli”, Berisha: Sakrifica e martirëve të votës së lirë sot më aktuale se kurrë

Ish-kryeministri Sali Berisha përkujtoi sot 35-vjetorin e masakrës së 2 Prillit në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së martirëve të votës së lirë dhe rolin e tyre historik në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë.

“Pas 35 viteve, prindërit dhe familjarët e martirëve kanë të hapur plagën e rëndë të humbjes së tyre dhe asgjë nuk mund ta mbyllë atë. Por duhet të jetë një ngushëllim për ta, sepse martirizimi i tyre në këtë shesh u shndërrua në dritë dhe hapi rrugën që shqiptarët të votonin të lirë,” tha Berisha.

Ai kujtoi se sakrificat e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Beshanakut dhe Besnik Cekës u bënë një kauzë ndërkombëtare, duke nxitur rezoluta miratimi në Kongresin e SHBA-së, Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës në nderim të martirëve dhe mbështetje të shqiptarëve që luftonin kundër diktaturës komuniste.

“Vepra e tyre sot është më frymëzuese se asnjëherë më parë dhe është një kushtrim për të gjithë shqiptarët që të sakrifikojnë për votën e lirë,” theksoi Berisha, duke kritikuar edhe qeverinë aktuale. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij, duke përdorur pushtetin për pasurim personal dhe legjitimim të korrupsionit, dhe duke shndërruar votën e qytetarëve në një farsë.

Berisha përfundoi duke bërë thirrje për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe shprehu besimin se Shkodra do të kryesojë këtë mision me vendosmëri më të madhe se çdo qytet tjetër.

“Ndaj, PD është e betuar që misioni i saj kryesor është rikthimi i votës së lirë tek shqiptarët,” përfundoi ish-kryeministri.