32 vjeçari Vedat Ademi ka ndërruar jetë në spitalin e Kumanovës, familjarët thonë se i është dhënë terapi që i shkaktoi reagim alergjik
32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës dje me 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Sipas familjarëve, atij i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik. Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por […]


32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës dje me 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Sipas familjarëve, atij i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik. Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe presin rezultatet. Vedati u varros sot (18 mars), transmeton Portalb.mk.
Amet Ademi për Portalb.mk, tregon se si ka ndodhur ngjarja.
“Djali dy herë në ditë merrte terapi, në mëngjes dhe mbrëmje. Kur e çova në Spital të merr terapi ai kishte dhimbje në bark. Ai u shtri të merr terapinë, doli një mjek i cili merrej me pacient tjetër, i mori dokumentet dhe i çoi te zyra ku ka qenë mjeku tjetër që i ka treguar atij se çfarë terapie të merr djali. Nuk e di tjetër çfarë kanë folur aty, por erdhi motra medicinale ia dha terapinë djalit, e lëshoi shpejtë as e pyeti a ka alergji as asgjë edhe pse shkruhej në dokumentet që i kishim me vete.” deklaroi i shqetësuar babai i të ndjerit.
Më pas, siç tregon ai, as dy minuta nuk kanë kaluar, djalit i është përkeqësuar gjendja.
“Djali vet e ka ndërprerë terapinë duke bërtitur “baba më mbytën!”. Unë u çova t’i ndihmoj, u hodha ujë duke bërtitur. Një motër medicinale i hodhi edhe ajo ujë. Pastaj u mblodhën dhe më shumë staf medicinal, mua më nxorën jashtë. U bë rrëmujë, vraponin, unë i pyetsha “A është gjallë?” më thoshin do të tregojë doktoresha. Më pas ndërroi jetë” deklaroi Amet Ademi, babai i të ndjerit.
Sead Ademi, vëllai i të ndjerit Vedat, për Portalb.mk tha se frikohet se drejtësia nuk do të del në pah, dhe se doktori Zoran Gjeorgjievski ka qenë kujdestar.
“Dyshojmë që raste të këtilla me dhënie të terapisë së gabuar ka pasur edhe më herët, por që fatkeqësisht, te vëllai im ndodhi kjo. Është krim, ka mbytur njeri. Minimum që duhet bërë është t’i merret licenca që mos e praktikojë më këtë profesion, sepse ai duhet të dënohet me burg. Gjitha faktet i kanë, shteti duhet të reagojë… Kur shkova unë e kur më thanë vdiq Vedati, ato fjalë nuk mund t’i harroj asnjëherë!” tha Seadi.
Sipas tij, në vend që të shërohet, ai gjeti vdekjen.
“E ka pasur të hyjë në operacion pas disa ditëve. Kjo është neglizhencë, duket qartë në librezë ku shkruan se është alergjik në analgin. Kjo i vjen sikur kanë vepruar për inat!” tha Sead Ademi duke ia treguar gazetares sonë librezën ku shihej qartë se shkruhet “cave analgin” që i bjen se ai është alergjik ndaj analginit.
Nga SPB Kumanovë për Portalb.mk deklaruan se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion.
“Më 17.03.2025, në orën 11:35, nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës, në Sektorin për Punë të Brendshme Kumanovë është raportuar se V.A. (32 vjeç) nga Kumanova ka ardhur në spital me gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Pas trajtimit me terapinë e dhënë, ai ka ndërruar jetë pas një kohe të shkurtër. Pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion, ndërsa punonjësit e policisë nga SPB Kumanovë kanë kryer inspektim dhe kanë intervistuar të gjithë personelin mjekësor të pranishëm”, thanë nga SPB Kumanovë duke theksuar se po punohet për zbardhjen e rastit.
Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski tha se disa sekonda pas aplikimit të terapisë, pacienti është ankuar për dhimbje gjoksi, terapia është ndërprerë dhe është thirrur ekipi i anestezisë.
“Pas terapisë së aplikuar, pas disa sekondash ka pasur dhimbje gjoksi, terapia është ndërprerë menjëherë dhe është thirrur shërbimi i anesteziologjisë në ekip të plotë, anesteziologu me dy teknikë dhe ka filluar reanimacioni. Fatkeqësisht nuk ka pasur përgjigje pozitive për reanimim dhe pacienti është shpallur i vdekur”, tha ai duke theksuar se është njoftuar policia dhe prokuroria dhe kanë nisur hetimet.” tha Trajanovski.
“Unë si drejtor mund të ju dëshmoj se pas përfundimit të procedurë hetimore askush nuk do të lirohet nga përgjegjësia, atë mund të ju vërtetoj! Atë e garantoj para opinionit, pas përfundimit të procedurës hetimore askush nuk do ti ikë përgjegjësisë” premtoi ai për TV 21
Nga Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu për TV 21 thanë se kanë formuar komision të posaçëm, të cilët do të iniciojnë një kontroll të jashtëzakonshme nga Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor për të zbuluar lëshimet e mundshme nga personeli mjekësor, raport i cili do ti dorëzohet prokurorisë për hetim të mëtutjeshëm të rastit.
Vedati u varros sot, kurse familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit.