9 viktima nga 842 aksidente në Tetovë në 2024-tën! Shkaktarët kryesorë, tejkalimi i shpejtësisë dhe infrastruktura
Gjatë vitit 2024 në rajonin e Tetovës janë shkaktuar 842 aksidente trafiku. Pasojë e tyre janë 9 viktima, 67 të lënduar rëndë, 373 me lëndime të lehta trupore, ndërsa 394 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Krahasuar me vitin 2023, në 2024 ka rënie të aksidenteve, tregon zëdhënësi i Sektorit për punë të Brendshme në […]
Gjatë vitit 2024 në rajonin e Tetovës janë shkaktuar 842 aksidente trafiku. Pasojë e tyre janë 9 viktima, 67 të lënduar rëndë, 373 me lëndime të lehta trupore, ndërsa 394 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Krahasuar me vitin 2023, në 2024 ka rënie të aksidenteve, tregon zëdhënësi i Sektorit për punë të Brendshme në Tetovë.
“Janë regjistruar gjithsej 842 aksidente trafiku që kemi ulje prej 10% në të njëjtën periudhë gjatë vitit 2023, kurse kemi një bilanc negativ sa i përket viktimave gjatë këtij viti, pasi që në vitin 2024 janë regjistruar 9 viktima, 5 nga të cilët janë vozitës, dy këmbësorë, një çiklist dhe një bashkudhëtar”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB- Tetovë.
Inxhinieri i komunikacionit Blerim Neimi shkakun e aksidenteve e sheh te pakujdesia, si e ngasësve po ashtu edhe këmbësorëve, por përmend edhe faktorë të tjerë që mund të sjellin deri te përplasjet, si moti dhe rrugët e këqija.
“Pa dyshim që në radhë të parë është shpejtësia, mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, të pjesëmarrësve, vozitësve, këmbësorëve që kalojnë vend e pa vend, mosrespektimi i vizë bardhave e kështu me radhë. Gjithashtu vlen të përmendet edhe periudha kohore ku është prezent edhe lagështia dhe gjithashtu kemi edhe zvogëlim të dukshmërisë dhe kjo është arsyeja që aksidentet shpeshtohen në këtë periudhë, por edhe faktorë si rrugët e dëmtuara”, shtoi Blerim Neimi, inxhinier i komunikacionit.
Kontrollet më të shpeshta nga autoritetet do të ishin parandalim i mirë i aksidenteve, shprehet Neimi, po duke bërë apel edhe te vozitësit për kujdes më të shtuar.
“Paraprakisht duhet të jetë edhe policia e komunikacionit në rrugë që të merr masa ndaj vozitësve që nuk kanë kujdes shpejtësinë e tyre, të evidentohen vendet ku dukshmëria ose ndriçimi publik është shumë i ulët, ku aty kemi prezent edhe fatkeqësitë e komunikacionit, vizëbardhat që është edhe tash problem në sezonin e dimrit të jenë më të dukshme”, pohoi Blerim Neimi, inxhinier i komunikacionit.
Edhe nga SPB Tetovë konfirmojnë se shkaktar më i shpeshtë i aksidenteve në komunikacion është tejkalimi i shpejtësisë, pastaj kryerja e gabuar e një veprimi dhe mosdhënia e përparësisë së kalimit. Në Tetovë vendet më kritike mbeten autostrada dhe rrugët rajonale Tetovë-Jazhincë, Tetovë-Pirok dhe Tetovë-Vollkovia, si dhe bulevardet kryesore të qytetit si “Vidoe Smilevski Bato”, “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”./TV21