Ageler: I ndjekim nga afër zhvillimet me prokurorin publik dhe Këshillin Gjyqësor, duam të shohim respektimin e ligjeve

Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, nuk i komenton zhvillimet e fundit në gjyqësor lidhur me iniciativën e Qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski dhe interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por thotë se SHBA-ja po i ndjek me shumë vëmendje këto procese dhe ajo që duan të shohin është […]

shkurt 19, 2025 - 15:00
 0  6
Ageler: I ndjekim nga afër zhvillimet me prokurorin publik dhe Këshillin Gjyqësor, duam të shohim respektimin e ligjeve
Nga fjalimi i Ageler në manifestimin e sotëm të dorëzimit të automjetit operativ të lëvizshëm në Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë / Foto: Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK)

Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, nuk i komenton zhvillimet e fundit në gjyqësor lidhur me iniciativën e Qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski dhe interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por thotë se SHBA-ja po i ndjek me shumë vëmendje këto procese dhe ajo që duan të shohin është që ligji të respektohet, transmeton Portalb.mk.

Këto tema që janë në fokus të publikut ishin të pashmangshme edhe për Ageler-in, e cila sot në një ngjarje për herë të parë u pyet se si i komenton synimet e Qeverisë për të zëvendësuar kryeprokurorin publik, për të cilën ajo u përgjigj:

“Nuk kam asnjë koment. Jam njohur me ta, po ndjekim procesin. Njohuria ime është se procedura është në vazhdim e sipër dhe sigurisht që po e ndjekim nga afër”.

Përgjigje identike dha edhe në pyetjen për komentimin e iniciativës për interpelancën e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që janë zgjedhur në Kuvend, duke shtuar në fund se në aspektin e procesit duan të shohin respektimin e ligjit.

“Është gjithashtu diçka që ne po e ndjekim nga afër. Natyrisht, kemi vite që përmendim Këshillin Gjyqësor dhe aspekte të tjera që lidhen me gjyqësorin. Ekziston një proces ligjor dhe sipas njohurive të mia, ai proces është në vazhdim dhe ne po e ndjekim me vëmendje dhe duam të shohim se ligji respektohet”, tha Ageler, e cila sot mori pjesë në dorëzimin e automjetit special operativ mobil, donacion nga Shtetet e Bashkuara për Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se në seancën e djeshme të Qeverisë, Ministria e Drejtësisë është ngarkuar nga Qeveria që të paraqesë propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Ljupço Kocevski, i cili më pas do t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, nga ku duhet të merret mendim në afat prej 15 ditësh.

Për vendimin në një konferencë për media ka njoftuar zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva, e cila tha se në mendimin e dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë janë vërejtur disa situata, të cilat sipas saj janë në kundërshtim me obligimet që dalin nga kompetencat ligjore.

Sipas mendimit të ministrisë, siç tha ajo, është vërejtur se institucioni i cili menaxhohet nga prokurori publik ka një reputacion të dëmtuar dhe “mbrojtja e reputacionit të institucionit është detyrë që buron nga Ligji për Prokurorinë Publike, konkretisht nga neni 4 paragrafi 1”.

“Në periudhën e kaluar, i gjithë opinioni ishte dëshmitar i një sërë skandalesh, funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë Publike, veprime të kundërligjshme dhe korrupsion, joefikasitet dhe shkelje të parimeve dhe pavarësisë në kryerjen e funksioneve të prokurorëve”, tha Miteva.

Prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski, shkarkimi i të cilit po kërkohet, dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se nga ajo që ka dëgjuar deri më tani në publik, nuk ka ndonjë shkelje të rëndë disiplinore në bazë të së cilës ai mund të shkarkohet.

Megjithatë, ai thotë se për propozimin për shkarkimin e tij do të deklarohet pasi Qeveria ta dorëzojë në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ai tha se nëse konstatohet se janë plotësuar kushtet për shkarkimin e tij sipas Ligjit për prokurorët publikë, në atë rast ai vetë do të japë dorëheqje. Por nëse nuk vërtetohet një gjë e tillë, atëherë, siç tha ai, le të gjykojë publiku nëse ai do të shkarkohet ligjërisht apo jo.

“Vendimin ua lë politikanëve. Unë kam punuar rreptësisht dhe do të vazhdoj të punoj sipas ligjit. Nëse plotësohen kushtet sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, unë qëndroj në atë dhe le të më shkarkojë, por nëse nuk plotësohen kushtet sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, publiku do ta vlerësojë nëse do të shkarkohem në rrugë ligjore apo jo”, tha Kocevski.

Ndërsa për interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ato janë dorëzuar më 7 shkurt nga grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, “VLEN-it” dhe ZNAM-it, pasi Kuvendi nuk e miratoi raportin për punën e Këshillit për vitin 2023.

Bëhet fjalë për anëtarët Selim Ademi, Pavlina Crvenkovska, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova-Ilievska.

Kuvendi ua ka dërguar interpelancat anëtarëve dhe tani pritet përgjigja e tyre. Seanca, sipas njoftimeve, duhet të mbahet në fund të këtij muaji ose në fillim të marsit. Interpelancat me siguri do të votohen, por nuk do të nënkuptojnë automatikisht shkarkimin e anëtarëve të Këshillit. Ata do të duhet të vendosin vetë nëse do të tërhiqen apo do të qëndrojnë në detyrë.

Kryeministri Mickoski, i cili tashmë që në kohën para zgjedhjeve kishte paralajmëruar “shkarkim” të Këshillit Gjyqësor, ndërsa në shpalljen e interpelancave javën e kaluar tha se po fillon “goditja në kokë” e Këshillit, deklaroi se Kuvendi nuk mund t’i shkarkojë, por pret që pas interpelancave ata vetë të tërhiqen.