Alarm në Shkup: 38 raste me ethet e Nilit Perëndimor, katër persona kanë humbur jetën

Deri më 18 gusht, në vend janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor – 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme. Prej tyre, 37 raste janë në rajonin e Shkupit dhe një në Veles, sipas të dhënave më të fundit të Institutit t...

gusht 19, 2026 - 16:00
Alarm në Shkup: 38 raste me ethet e Nilit Perëndimor, katër persona kanë humbur jetën

Deri më 18 gusht, në vend janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor – 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme. Prej tyre, 37 raste janë në rajonin e Shkupit dhe një në Veles, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik përcjell INA.

Janë regjistruar katër raste me përfundim fatal, të gjitha me formë neuroinvazive të sëmundjes. Bëhet fjalë për burra të moshës 62 deri në 83 vjeç nga Shkupi, të cilët ishin të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Te tre prej personave që kanë humbur jetën janë evidentuar edhe sëmundje shoqëruese.

Nga gjithsej 38 rastet e regjistruara, 28 janë meshkuj dhe 10 femra.

Vetëm gjatë javës së fundit, nga 12 deri më 18 gusht, janë raportuar 12 raste të reja, përfshirë edhe tre raste të reja me përfundim fatal.

Pas shpalljes së epidemisë së etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisela Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel, janë ndërmarrë masa për kontrollin e popullatës së mushkonjave.

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer kontrolle mbi aktivitetet për dezinfektimin dhe dezinsektimin në të gjitha komunat. Ndërkohë, vazhdojnë aktivitetet sistematike dhe të jashtëzakonshme për trajtimin e larvave dhe mushkonjave të rritura, si nga ajri ashtu edhe në terren, në territorin e Qytetit të Shkupit dhe në komunat Gazi Babë, Kisela Vodë (lagjja Draçevë), Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec, Sopishte, Çuçer Sandevë dhe Veles.

Deri më 14 gusht 2026 janë realizuar disa cikle trajtimi, përfshirë edhe ndërhyrje shtesë në sipërfaqet me ujë të ndenjur në zonat e prekura.

Fushatë me SMS për qytetarët

Ka nisur edhe një fushatë masive informimi përmes SMS-ve, me qëllim që qytetarët në zonat e prekura të marrin në kohë këshilla për mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave.

Fushata përfshin dërgimin e rreth 38.500 mesazheve te qytetarët në komunat e prekura. Vetëm më 18 gusht janë dërguar 6.526 mesazhe, ndërsa edhe 31.365 mesazhe të tjera pritet të dërgohen gradualisht në ditët në vijim.

Sipas autoriteteve, deri tani fushata ka pasur një nivel të lartë angazhimi: deri në 70 për qind e mesazheve të pranuara janë lexuar nga marrësit, të cilët kanë hapur edhe lidhjen me informacionet shtesë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga mushkonjat.

Rekomandohet që të eliminohet uji i ndenjur në oborre, si në pjatat e vazove, gomat e vjetra dhe enët e ndryshme, si dhe të pastrohen rregullisht ulluqet. Gjithashtu këshillohet vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer, shmangia e qëndrimit jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe përdorimi i veshjeve me mëngë të gjata dhe repelentëve.

Në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, dhimbje koke, ngurtësi e qafës dhe simptoma të tjera të ngjashme, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe ta informojnë mjekun nëse kanë qëndruar në zonat e prekura.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të vazhdojë me aktivitetet e intensifikuara për informimin dhe mbrojtjen e popullsisë në komunat ku është regjistruar numër i shtuar i rasteve, krahas masave të rregullta për kontrollin e popullatës së mushkonjave.

„Mendoj se po bëjmë maksimumin që mundemi. Me përgjegjësi deklaroj se të gjitha masat janë ndërmarrë, po ndërmerren dhe do të vazhdojnë të ndërmerren edhe në të ardhmen“, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ministri paralajmëroi se të premten do të zhvillohet një takim me institucionet kompetente për problemin e ujërave të ndenjura.

Ndërkohë, doktoresha Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se një nga personat e prekur nga ethet e Nilit Perëndimor është në moshën 20 deri në 29 vjeç.

Ajo tha se deri tani, gjatë këtij sezoni, nuk është regjistruar asnjë rast i etheve të Nilit Perëndimor te fëmijët.

Ministria e Shëndetësisë theksoi se do të vazhdojë ta informojë rregullisht opinionin publik për gjendjen epidemiologjike dhe masat parandaluese të ndërmarra./INA/


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.