Allegri merr vendimin drastik – ndryshon skemën për të “zgjuar” sulmin
AC Milan është i detyruar të rikthehet te fitorja kundër Udinese këtë të shtunë në mbrëmje në San Siro, për të shmangur një fund sezoni që mund të bëhet shumë i ndërlikuar. Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, fjalët e Massimiliano Allegri para sfidës me Napoli rezultuan profetike: “Gjithçka mund të ndryshojë brenda një […]


AC Milan është i detyruar të rikthehet te fitorja kundër Udinese këtë të shtunë në mbrëmje në San Siro, për të shmangur një fund sezoni që mund të bëhet shumë i ndërlikuar.
Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, fjalët e Massimiliano Allegri para sfidës me Napoli rezultuan profetike: “Gjithçka mund të ndryshojë brenda një jave”. Para pak ditësh, kuqezinjtë ishin në garë për titullin, ndërsa tani duhet të shikojnë edhe pas shpine për një vend në Champions.
Kalendari nuk është i lehtë: përballje me ekipe që luftojnë për mbijetesë, por edhe direkte për zonën evropiane ndaj skuadrave si Juventus dhe Atalanta, përcjell ORAinfo.
Ndryshimet e Allegrit
Problemi kryesor mbetet sulmi: Milani ka humbur tre nga gjashtë ndeshjet e fundit me rezultatin 1-0, duke treguar vështirësi serioze për të shënuar.
Për këtë arsye, Allegri po mendon për një formulë më agresive. Ai ka testuar si skemën 3-5-2, ashtu edhe një variant me tre sulmues gjatë stërvitjes së fundit. Vendimi final pritet të merret vetëm para ndeshjes.
Një rikthim i rëndësishëm është ai i Santiago Giménez, i cili mund të nisë si titullar pas një periudhe të gjatë jashtë fushe për shkak dëmtimi.
Nëse përdoret një dyshe sulmi, ai mund të shoqërohet nga Christian Pulisic, me të cilin ka treguar bashkëpunim të mirë më herët gjatë sezonit.
Në rast se zgjidhet skema me tre sulmues, Giménez do të jetë në qendër, ndërsa Christian Pulisic në krahun e djathtë dhe një mes Rafael Leão ose Christopher Nkunku në të majtë.
Milani kërkon një reagim të menjëhershëm – dhe Allegri shpreson që ndryshimi i formulës në sulm të jetë çelësi për ta rikthyer skuadrën te golat dhe te rezultatet pozitive. /ORAinfo/