ANALIZË: “Lufta” tregtare e fuqive ekonomike botërore, pasojat nuk do ta anashkalojnë as Maqedoninë

Bota po përgatitet për një luftë tregtare dhe doganore. Nëse do të realizohen skenarët e “luftës” tregtare të paralajmëruara nga fuqitë ekonomike botërore, veçanërisht SHBA-BE, pasojat nuk do ta anashkalojnë as Maqedoninë – e varur nga importi nga Evropa, me investime të huaja nga vendet kryesore evropiane dhe me eksporte të synuara kryesisht në tregjet […]

Mars 21, 2025 - 09:00
 0  5
ANALIZË: “Lufta” tregtare e fuqive ekonomike botërore, pasojat nuk do ta anashkalojnë as Maqedoninë
Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare

Bota po përgatitet për një luftë tregtare dhe doganore. Nëse do të realizohen skenarët e “luftës” tregtare të paralajmëruara nga fuqitë ekonomike botërore, veçanërisht SHBA-BE, pasojat nuk do ta anashkalojnë as Maqedoninë – e varur nga importi nga Evropa, me investime të huaja nga vendet kryesore evropiane dhe me eksporte të synuara kryesisht në tregjet evropiane. Të dhënat e fundit nuk janë inkurajuese – eksportet tona janë në rënie me shtatë nga dhjetë partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

Në vitin 2024, eksportet tona në BE me rënie prej 8,7%

Fillimi i këtij viti të ri ekonomik, i cili është nën rreziqe të forta të jashtme, tashmë të intensifikuara që kur BE-ja paralajmëroi kundër-tarifa për importet amerikane, filloi me një rënie të shkëmbimit total tregtar, në janar të vitit 2025 në krahasim me dhjetorin e vitit 2024 për 4,8%, ndërsa krahasuar me janarin e vitit 2024 shkëmbimi tregtar ishte më i lartë për 5,7% (llogaritjet e bazuara në euro).

Të dhënat e përmbledhura për të gjithë vitin 2024 tregojnë se vëllimi i shkëmbimit total tregtar arriti në 18,8 miliardë euro, nga të cilat 7,7 miliardë euro është vlera e eksporteve tona, ndërsa 11,0 miliardë euro janë importet e huaja në vend.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shkëmbimi tregtar në vitin 2024 u ul për 3,2% krahasuar me vitin 2023, me një rënie të ndjeshme prej 6,5% të eksporteve tona dhe një rënie prej 0,8% të importeve në vend. Vitin e kaluar, vlera e shkëmbimit tregtar ka shënuar rënie si në nivel mujor ashtu edhe atë vjetor, me rënie të ndjeshme të vëllimit të eksporteve tona jashtë vendit. Ekonomistët kanë paralajmëruar se politikat e brendshme ekonomike janë nën rreziqe të jashtme dhe për këtë arsye duhet të monitorohen nga afër, sidomos tani me njoftimet nga SHBA për vendosjen e tarifave dhe njoftimeve për kundër-tarifa nga BE-ja.

Një nga sinjalet se rreziqet e jashtme janë rritur dhe do të ndikojnë në ekonominë tonë është rënia e vëllimit të eksporteve tona drejt vendeve të BE-së, të cilat vitin e kaluar krahasuar me vitin 2023 u ulën për 8,7%. Në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ka pasur një rritje prej 2,7%, por ekspertët thonë se në muajin e parë të vitit duhet të merret parasysh “faktori sezonal”, gjegjësisht tregtia zakonisht e rritur në fillim të vitit.

Çfarë po ndodh në tregtinë me partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë?

“Portalb”-i do të përdorë si pikë referimi të dhënat e përmbledhura për vitin 2024 për të fituar një pasqyrë të plotë të pozicionit tregtar të vendit.

Partneri i parë me gati 4,3 miliardë euro është Gjermania, me të cilën vitin e kaluar kemi pasur rënie të eksporteve prej madje 15,5%, ndërsa importet në vend janë rritur për 3,8%. Në vitin 2024, eksportet tona drejt Gjermanisë arritën në pothuajse 3,1 miliardë euro, që përfaqëson 41% të totalit të eksporteve të vendit, por kjo përqindje ka një tendencë rënëse. E dyta është Britania e Madhe, me të cilën gjithashtu kemi një rënie të eksporteve prej 19,2% dhe të importeve prej 12,7%. E ngjashme është situata edhe me Greqinë, e cila është partneri ynë i tretë tregtar, ndaj të cilit eksportet tona kanë rënë për 14,5%, kurse importet e tyre në vend për 5,5%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo që mund të jetë alarmante është fakti se eksportet tona me këta tre partnerë më të rëndësishëm tregtarë po “rrokullisen teposhtë” edhe në janar të vitit 2025. Nga vendet e tjera që janë në top 10 partnerët më të rëndësishëm, në nivel vjetor në vitin 2024 rënie të eksporteve kemi edhe me Kinën, të cilat pothuajse janë përgjysmuar në 49,4%, në Turqi eksportet tona krahasuar me vitin 2023 janë ulur për 15,8%, me Italinë kemi rënie prej 0,4% dhe Hungarinë prej 6,3%.

Rritje të eksporteve drejt vendeve fqinje kemi me Serbinë për 11,8%, pastaj me Bullgarinë prej 19,8% dhe me Poloninë prej 0,4%. Nga vendet përreth kemi rënie të tregtisë totale me Kosovën, ku eksportet tona janë ulur për 9,1% ndërsa importet në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023 janë rritur për 10,1%.

Sipas vlerësimeve të parashtruara në buxhetin e vitit 2025, Qeveria pret rritje të eksportit që do të mbështetet në investimet ekzistuese dhe të reja të huaja.

“E gjithë kjo do të kontribuojë që eksportet të kalojnë në zonën pozitive dhe të arrijnë në 4,2% në vitin 2025. Njëkohësisht rritja e investimeve dhe rritja e kërkesës së brendshme do të ndikojnë në rritjen e importit, rritja e të cilit në vitin 2025 parashikohet në 4,4%. Me këtë, eksportet neto sërish do të kishin një kontribut negativ në rritjen ekonomike, por dukshëm më të vogël në krahasim me vitin 2024” – thuhet në buxhet.

Këtë vit, rreziku për shkak të raporteve të dëmtuara gjeopolitike dhe por edhe për shkak të “luftës me tarifa”, vazhdon të kërcënojë ekonominë globale.

“Tarifat janë taksa. Ato janë të këqija për biznesin dhe akoma më të këqija për konsumatorët. Këto tarifa i dëmtojnë zinxhirët e furnizimit. Ato sjellin pasiguri në ekonomi. Vendet e punës janë në rrezik. “Çmimet do të rriten si në BE ashtu edhe në SHBA” – paralajmëroi Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen.

Sipas analizave fillestare të Komisionit Evropian, pasojat do të jenë në fronte të shumta – presione të reja çmimesh për shkak të rritjes së çmimeve, ndërprerje në zinxhirët e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, tronditje në bursa, tregjet financiare dhe në tregjet e fuqisë punëtore.