Toshkovski: Shpresojmë se shumë shpejtë do ta mbyllim hetimin për zjarrin në Koçan

“Shpresojmë që në një kohë sa më të shkurtër të mbyllim të gjithë hetimin për zjarrin në Koçan që të vazhdojmë me pjesën tjetër të procedurës. Hetimi është ende në vazhdim. Atë e kryen Prokuroria Publike. MPB po vepron sipas udhëzimeve dhe urdhrave të marra nga Prokuroria Publike”, deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski nga […]

Prill 19, 2025 - 18:00
 0  5
Toshkovski: Shpresojmë se shumë shpejtë do ta mbyllim hetimin për zjarrin në Koçan
Pançe Toshkovski. Foto printscreen nga videoja e MPB-së

“Shpresojmë që në një kohë sa më të shkurtër të mbyllim të gjithë hetimin për zjarrin në Koçan që të vazhdojmë me pjesën tjetër të procedurës. Hetimi është ende në vazhdim. Atë e kryen Prokuroria Publike. MPB po vepron sipas udhëzimeve dhe urdhrave të marra nga Prokuroria Publike”, deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski nga Ohri në lidhje me hetimin për tragjedinë në Koçan, transmeton Portalb.mk.

Informatat e fundit nga Prokuroria Themelore Publike – Koçan janë se në Gjykatën Themelore në Koçan është dorëzuar propozim për zëvendësimin e masës së paracaktuar të arrestit shtëpiak me masë të sigurimit për dy të dyshuarit në cilësinë e ish-drejtorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, dhe për herë të parë po kërkohen masa parandaluese edhe për një të dyshuar deri më tani nën trajtim në Koçan.

Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mbetet në paraburgim, ndërsa ish-kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov dhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, shkojnë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kujtojmë se Bekteshi ndodhet në paraburgim që nga fillimi i hetimeve për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Pulse”.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.