Antikorrupsioni do ta kontrollojë rastin me tenderët në Ministrinë për Digjitalizim, LSDM-ja paralajmëroi prova shtesë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të konstatojë nëse ka konflikt interesi në rastin që Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e shpalli dy ditë më parë, e që ka të bëjë me tenderët në Ministrinë e Transformimit Digjital, transmeton Portalb.mk. “Gjatë ditës së djeshme, pas njoftimeve në media, Komisioni Kundër Korrupsionit me iniciativë […]

Mars 12, 2025 - 14:00
 0  5
Antikorrupsioni do ta kontrollojë rastin me tenderët në Ministrinë për Digjitalizim, LSDM-ja paralajmëroi prova shtesë
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të konstatojë nëse ka konflikt interesi në rastin që Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e shpalli dy ditë më parë, e që ka të bëjë me tenderët në Ministrinë e Transformimit Digjital, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë ditës së djeshme, pas njoftimeve në media, Komisioni Kundër Korrupsionit me iniciativë e ka ngritur rast dhe do të procedojë në konstatimin nëse ka konflikt të interesave”, kanë thënë nga KSHPK për MIA-në.

Vendimin e KSHPK-së sot e ka mirëpritur LSDM-ja opozitare, nga ku thonë se hapi i Komisionit është në drejtimin e duhur, por tani është radha e Prokurorisë Publike.

“Faktet janë të qarta: kompania e bashkëshortit të Klinçarovës fitoi dy tenderë dhe ministri Andonovski fillimisht u përpoq ta fshihte dhe më pas ta arsyetonte këtë situatë skandaloze me arsyetime absurde. Ky nuk është vetëm konflikt i interesave – ky është rast evident i korrupsionit”, thuhet në njoftimin e sotëm nga LSDM.

Nga partia njoftojnë se gjatë ditës do të paraqesin prova shtesë që do t’i ndihmojnë KSHPK-së, por edhe të gjitha institucioneve kompetente, në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

LSDM, të hënën, ka publikuar kontratat që janë lidhur në mes të Ministrisë së Transformimit Digjital dhe një kompanie nga Shkupi, e akuzuar për skandal në këtë institucion shtetëror në të cilin, siç thanë nga atje, ka konflikt interesi.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se ky është shembull i konfliktit të drejtpërdrejtë të interesit, nepotizmit dhe dyshimit të bazuar për korrupsion në Ministrinë e Transformimit Digjital të udhëhequr nga Stefan Andonovski.

Kuzeska tregoi dy kontrata për të cilat tha se janë lidhur ndërmjet Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Kompanisë për prodhim, tregti, shitje dhe shërbime “Mateo Design” nga Shkupi e përfaqësuar nga menaxheri Martin Klinçarov – bashkëshorti i Gordana Klinçarovës.

Ata dje i kanë bërë thirrje KSHPK-së dhe Prokurorisë Publike që të veprojnë për këtë rast, duke thënë se të gjitha provat dhe dokumentet që i kanë janë në dispozicion të publikut dhe për këtë nuk do të jetë problem që t’i sigurojnë dhe të veprojnë në mënyrë që rasti të zbardhet plotësisht.

Pas shpalljes së kontratave nga LSDM-ja, ministri Stefan Andonovski doli në konferencë për media dhe tha se derisa nuk i ka ardhur për nënshkrim kontrata me “Mateo Design” nuk e ka ditur se ekziston një kompani e tillë dhe mendon se në këtë rast nuk është shkelur asnjë pjesë e deklaratës së tij për konflikt të interesit.

Ai shtoi se sekretarja shtetërore në Ministri nuk merr pjesë në asnjë procedurë për prokurim publik, në asnjë fazë dhe se angazhimi i saj është në funksionimin administrativo-buxhetor të Ministrisë. Prandaj, siç tha ai, nuk ka vend për konflikt interesi apo ndikim në procedurë nga ana e saj.