Pothuajse 80 përqind e mjekëve në RMV ishin të ekspozuar ndaj dhunës
Në një anketë të kryer nga Oda e Mjekëve, 78% e mjekëve raportuan se ishin ekspozuar ndaj një lloj dhune në vendin e punës. Prej tyre, 80% janë ekspozuar ndaj dhunës verbale, ndërsa 6.8% kanë përjetuar dhunë fizike. Pothuajse 70% e sulmeve nuk raportohen fare, njoftoi Oda e Mjekëve, me rastin e 12 Marsit, Ditës […]


Në një anketë të kryer nga Oda e Mjekëve, 78% e mjekëve raportuan se ishin ekspozuar ndaj një lloj dhune në vendin e punës. Prej tyre, 80% janë ekspozuar ndaj dhunës verbale, ndërsa 6.8% kanë përjetuar dhunë fizike. Pothuajse 70% e sulmeve nuk raportohen fare, njoftoi Oda e Mjekëve, me rastin e 12 Marsit, Ditës Evropiane për ndërgjegjësimin për dhunën ndaj mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, transmeton Portalb.mk.
“Në vitin 2024, vetëm katër sulme janë raportuar në Odë. Në një rast mjeku është sulmuar fizikisht, në dy raste ka qenë sulm verbal me kërcënim për përdorim të forcës dhe në një rast mjeku është ekspozuar ndaj ofendimeve në rrjetet sociale. Në të gjitha rastet, sulmet janë kryer nga pacientë ose nga një anëtar i familjes së ngushtë. Oda sivjet përmes një fushate në rrjetet sociale na rikujton rëndësinë e kultivimit të një partneriteti mes mjekëve dhe pacientëve të bazuar në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë, për çka mori mbështetje edhe nga shoqatat e pacientëve”, thuhet në njoftimin e Odës.
Nga aty kujtojnë se çdo pacient meriton kujdesin më të mirë shëndetësor dhe çdo punonjës shëndetësor meriton të punojë në një mjedis të sigurt.
“Prandaj, ndërtimi i besimit reciprok, profesionalizmit dhe mekanizmave të llogaridhënies është e vetmja mënyrë për të përmirësuar sistemin shëndetësor – pa pasur nevojë për dhunë, pa frikë dhe pa viktima shtesë. Dhuna ndaj punonjësve të shëndetësisë – duke filluar nga abuzimi verbal deri te sulmet fizike – ka arritur nivele alarmante. Kërkimet e kryera nga organizatat përkatëse ndërkombëtare vlerësojnë se mbi 60% e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Evropë kanë përjetuar një formë dhune në vendin e tyre të punës”, shtohet në deklaratë.
Oda e Mjekëve u bën thirrje politikëbërësve të ndërmarrin veprime vendimtare për të shtypur dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë dhe në përgjithësi në institucionet shëndetësore, nëpërmjet zbatimit në praktikë të zgjidhjeve ligjore tashmë të miratuara për mbrojtjen nga dhuna, marrjen e masave të përmirësuara të sigurisë në spitale, trajnimin e punonjësve shëndetësorë për rëndësinë e empatisë në marrëdhëniet me pacientët, si dhe trajnimin për mënyrat e depërshkallëzimit të konfliktit, mbështetje psikologjike për ata që kanë problem.
“Askush nuk duhet të ketë frikë për sigurinë e tij gjatë ofrimit të kujdesit dhe as pacientët nuk duhet të ndihen të pasigurt gjatë marrjes së shërbimit shëndetësor për të cilin kanë nevojë. Dita evropiane e ndërgjegjësimit për dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë shërben si një kujtesë e fuqishme se dhuna nuk duhet të jetë pjesë e punës së punonjësve shëndetësorë dhe nuk duhet të jetë e pranishme në objektet shëndetësore”, thotë Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës së mjekëve.
Me iniciativën dhe avokimin e Odës së Mjekëve, në vitin 2023 u bënë ndryshime në Kodin Penal, ku dhuna ndaj punonjësve të shëndetësisë është dhunë ndaj zyrtarëve dhe përbën vepër penale. Pra, veprimet si përdorimi i forcës, kanosjet e rënda, fyerjet, ngacmimet, lëndimet fizike apo kanosja e mjekut me armë gjatë kryerjes së detyrave të punës profesionale janë vepra penale për të cilat parashikohet dënim me burg.