Arbër Ademi nga BDI: Raporti i Komisionit Evropian, një alarm i rëndë për Maqedoninë e Veriut
Nënkryetari i BDI-së kritikon qeverinë për stagnim dhe mungesë të vullnetit politik Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vlerësimit negativ që The post Arbër Ademi nga BDI: Raporti i Komisionit Evropian, një alarm i rëndë për Maqedoninë e Veriut appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Nënkryetari i BDI-së kritikon qeverinë për stagnim dhe mungesë të vullnetit politik
Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vlerësimit negativ që Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në raportin e fundit të progresit për vitin 2025. Ai tha se raporti përbën “njërin nga vlerësimet më të dobëta në dhjetë vitet e fundit” dhe se është një pasqyrë e qartë e stagnimit institucional dhe mungesës së reformave.
“Komisioni Evropian ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivok. Termat që përdoren në raport: ‘pa progres’, ‘progres i kufizuar’, ‘nuk u morën masa’ dhe ‘zbatimi mbetet i dobët’, përbëjnë një diagnostikim të rëndë të gjendjes së brendshme të shtetit,” deklaroi Ademi.
Sipas tij, qeveria ka dështuar në përmbushjen e kushteve bazë për hapjen e negociatave, veçanërisht në klasterin e parë që lidhet me sundimin e ligjit dhe drejtësinë.
“Në vend që të ndërtohet moment përpara, shohim mungesë totale të koordinimit, paaftësi menaxhuese dhe mungesë të vullnetit për reforma të vërteta,” shtoi ai.
Dështimi për ndryshimet kushtetuese – “shkelje e zotimeve ndërkombëtare”
Një nga pikat më kritike sipas raportit, dhe të theksuara nga Ademi, është dështimi për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që janë kusht i qartë për vazhdimin e procesit integrues.
“Kjo nuk është thjesht një vonesë teknike, kjo është shkelje e një zotimi ndërkombëtar dhe dëmton seriozisht kredibilitetin e shtetit para partnerëve tanë evropianë,” theksoi Ademi.
Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit
Ademi vuri në pah se raporti evidenton mungesë progresi në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
“Korrupsioni mbetet i përhapur, ndërsa ndikimi politik në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë realitet i përditshëm,” tha ai.
Ai u ndal edhe te reforma e administratës publike, e cila sipas tij mbetet vetëm në letër, ndërsa administrata vazhdon të jetë e politizuar dhe jo meritokratike.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe liria e medias
Nënkryetari i BDI-së kritikoi gjithashtu qasjen e qeverisë në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, duke thënë se vendi po përjeton një “dobësim të institucioneve dhe të transparencës demokratike.”
“Komisioni vëren mungesë të progresit edhe në fushën e të drejtave themelore dhe lirisë së shprehjes. Gazetarët vazhdojnë të punojnë në një klimë pasigurie,” u shpreh ai.
Ekonomia dhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit
Duke folur për çështjet ekonomike, Ademi tha se “realiteti është i zymtë”, duke përmendur inflacionin e lartë dhe mungesën e shfrytëzimit efektiv të fondeve të BE-së.
“Ndërkohë që shtetet e tjera të rajonit përparojnë, Maqedonia e Veriut mbetet prapa edhe në përdorimin e instrumenteve financiare që ofron BE-ja,” paralajmëroi ai.
Mesazhi i BDI-së: Integrimi nuk ka alternativë
Në fund të deklaratës, Arbër Ademi e cilësoi raportin si “një sinjal alarmi” dhe kërkoi ndërgjegjësim politik e institucional për të kthyer vendin në rrugën e reformave.
“Integrimi evropian nuk është një slogan politik, por një obligim kombëtar dhe strategjik. Rruga evropiane është e vetmja rrugë që garanton demokraci, drejtësi dhe zhvillim për të gjithë,” theksoi Ademi.
Ai bëri të ditur se BDI do të vazhdojë të jetë zëri i reformës dhe transparencës dhe të mbrojë interesin evropian të qytetarëve.
The post Arbër Ademi nga BDI: Raporti i Komisionit Evropian, një alarm i rëndë për Maqedoninë e Veriut appeared first on Flaka, në çdo lajm... .