BDI do të kujdestarojë para Gjykatës Kushtetuese, e shpallën nismën “Roje për Gjuhën”
Nga sot përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të kujdestarojë Fronti Evropian. BDI sot bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” e cila vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve, raporton […]
Nga sot përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të kujdestarojë Fronti Evropian. BDI sot bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” e cila vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve, raporton Portalb.mk.
Arbër Ademi tha se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige.
“Ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës”, një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit. Nga sot më 8 dhjetor ne do të qëndrojmë këtu para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim mos të prishë atë që kemi ndërtuar me shumë sakrificë”, tha Ademi.
Nga atje ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie të cilët besojnë në barazo që të përkrahin këtë nismë.
“Gjuhën nuk e japim” dhe “UÇK” ishin brohoritjet që u dëgjuan nga qytetarët që ishin mbledhur aty gjatë kohës që Ademi dha deklaratën për media.
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski sot tha se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë në seancën e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim përpiqet të krijojë ndasi dhe tensione etnike.
“BDI për 20 vjet ka emëruar gjyqtarë kushtetues, madje ata e dinë se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Pastaj do të dalin në publik dhe do të thonë: Ja, ne ushtruam presion, prandaj nuk ndodhi asgjë. Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë, ka procedura, seanca përgatitore, e kështu me radhë, por ata sërish po i keqpërdorin shqiptarët, maqedonasit, duke i munduar me përpjekje për ndarje dhe për të tërhequr vëmendjen”, tha Mickoski.
Gjithashtu sot gjatë ditës, rinia e koalicionit VLEN ka ironizuar me letrën që BDI ua ka dëruar ndërkombëtarëve ku kishin kërkuar që të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët.
“U bëjmë thirrje SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe garantuesve tjerë të Marrëveshjes së Ohrit që të veprojnë me vendosmëri. Mbijetesa jonë tani është më e rëndësishme se kurdoherë. Kemi gjithë ato biznese për t’i drejtuar, gjithë atë pasuri për ta gëzuar! Ju lutemi mos na lini të përfundojmë në burg. Ky është momenti i të vërtetës. Përfitimet tona financiare në kurriz të qytetarëve nuk janë thjeshtë histori – ato janë dëshmi të keqpërdorimeve që kemi bërë dhe të parave që kemi vjedhur. Na mbroni nga ligji që të mos shkaktojmë mos siguri dhe destabilitet ne vend”, thanë mes tjerash nga koalicioni VLEN.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese ka nxitur reagime të shumta
Mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapure cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut lidhur me Ligjin për Gjuhët për të cilin pritet gjykata të vendosë me 11 dhjetor, ata kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, vendimet arbitrare sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.
Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri u ka dërguar letër ndërkombëtarëve. Këtë herë në letrën e drejtuar ndaj SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, BDI-ja kërkon nga këta të fundit që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët.
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari tha se kjo që bën Gjykata Kushtetuese është jashtë logjike dhe jashtë çdo norme njerëzore. Sipas tij, nëse merret një vendim që duhet të revidohet komplet ligji, kjo do të jetë situatë jo e mirë për shqiptarët por edhe për tërë vendin.
Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ndërkaq është paralajmëruar se gjyqtarët shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë nëkëtë seancë.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
- LEXO: Mickoski: Asgjë nuk do të ndodh me 11 dhjetor, opozita dëshiron tensione dhe ndarje etnike
- LEXO: Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve: Mos u bëni pjesë e skenarëve politikë, vendimet arbitrare cenojnë marrëdhëniet ndëretnike
- LEXO: BDI përsëri me letër ndaj ndërkombëtarëve, kërkojnë të parandalojnë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve i cili mund të krijojë trazira
- LEXO: Kushtetuesja: Nuk do të komentojmë qëndrimet e askujt, është caktuar seanca për Ligjin e Gjuhëve
- LEXO: RMV, gjyqtarët kushtetues shqiptarë do të bojkotojnë seancën për Ligjin e Gjuhëve, të kontestueshëm plot 18 nene
- LEXO: RMV, më 11 dhjetor do të mbahet seanca e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për përdorimin e gjuhëve