BDI: Inspektorët e IZGJ-së, prej më shumë se katër muajsh nuk kanë marrë pagat
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, siç thuhet në reagim, skandaloze që prekin drejtpërdrejt Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, institucionin kyç për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, transmeton Portalb.mk. “Prej më shumë se katër muajsh, inspektorët e këtij institucioni nuk kanë marrë […]


Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, siç thuhet në reagim, skandaloze që prekin drejtpërdrejt Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, institucionin kyç për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Prej më shumë se katër muajsh, inspektorët e këtij institucioni nuk kanë marrë pagat, nuk kanë sigurim shëndetësor, as mbulim social. Kjo nuk është thjesht një padrejtësi sociale – kjo është një strategji e qëllimshme për t’i larguar profesionistët që janë trajnuar dhe licencuar me vite për të mbrojtur ligjin. Ky është kapitulli i radhës në një ofensivë të organizuar kundër statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fillimisht, institucionit iu mor pavarësia, duke u futur nën Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim kontrolli dhe varësie politike. Tani, me mosdhënien e pagave dhe shpërfilljen e funksionit të tyre, synohet shkatërrimi përfundimtar i këtij mekanizmi mbikëqyrës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga aty theksojnë se jo nuk është neglizhencë. Sipas BDI-së, ky është një plan i mirëpërgatitur për të çmontuar çdo gjë që është ndërtuar rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
“Në të njëjtën kohë: Gjykata Kushtetuese po shqyrton kushtetutshmërinë e vetë Ligjit për Gjuhët, institucionet nuk po e zbatojnë ligjin në praktikë, ueb-faqet e ministrive dhe ndërmarrjeve publike janë fshirë nga përmbajtjet në shqip, dokumentet zyrtare po publikohen ekskluzivisht në maqedonisht dhe tani, po goditet edhe institucioni që mbikëqyr zbatimin e ligjit”, thuhet tutje në reagimin e partisë.
Kujtojmë se Inspektorati për Zbatimin e gjuhëve humbi rëndësinë që kur Ligji për përdorimin e gjuhëve u gjend në sirtarët Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mbajë një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.