AKE filloi procedurë për diskutim publik për zbatimin e tenderit për operator të tretë celular

Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) shpalli qëllimin e saj për të zhvilluar tender publik për operatorin e ri celular në vend, me kërkesë të “One Macedonia Telecommunications”, kompania të cilën kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG” e regjistroi në vend pasi kishte shpallur hyrjen e saj në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni, transmeton Portalb. Qëllimi për […]

Prill 23, 2025 - 14:00
 0  5
AKE filloi procedurë për diskutim publik për zbatimin e tenderit për operator të tretë celular
Telefon celular

Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) shpalli qëllimin e saj për të zhvilluar tender publik për operatorin e ri celular në vend, me kërkesë të “One Macedonia Telecommunications”, kompania të cilën kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG” e regjistroi në vend pasi kishte shpallur hyrjen e saj në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni, transmeton Portalb.

Qëllimi për zbatimin e tenderit publik, siç shtojnë nga AKE, është me vetë-iniciativë dhe bazuar në kërkesën e pranuar nga “One Macedonia Telecommunications” më 16 prill të vitit 2025.

“Agjencia e Komunikimeve Elektronike shpall qëllim për zbatimin e procedurës për tender publik me ankand publik për lëshimin e një numri të kufizuar miratimesh për përdorimin e radiofrekuencave me qëllim që të mundësojë  një diskutim publik për numrin e shpallur të miratimeve për përdorimin e radiofrekuencave”, thuhet në njoftimin e AKE.

Letra për shprehjen e interesit duhet të dorëzohet pranë AKE deri më 16 maj të këtij viti, ndërsa në pajtim me Ligjin për Komunikime Elektronike do të vendoset për hapat e ardhshëm për shpalljen e tenderit.

Nga AKE thonë se në tender mund të aplikojnë më shumë se dy operatorë të rrjetit të shërbimeve publike të komunikimit elektronik celular, ndërsa miratimet do të jepen vetëm për të rinjtë, ndërsa letrat e shprehjes së interesit nga “A1 Maqedoni” dhe “Telekomi i Maqedonisë” nuk do të merren parasysh.

AKE propozon që shuma minimale e kompensimit të njëhershme të jetë 4.200.000 euro për miratimin A1 në brezin e frekuencës prej 700 megahertz, 1.500.000 euro për miratimin B1 për brezin e frekuencës 1.800 megahertz dhe 2.320.000 euro për miratimin C1 për brezin e frekuencës 3400-3800 megahertz.

Nga Agjencia thonë se afati i vlefshmërisë së miratimeve për përdorimin e radiofrekuencave A1 dhe C1 do të jetë 12 vjet, pra deri në vitin 2037, ndërsa i miratimit B1 8 vjet, pra deri në vitin 2033, për shkak të harmonizimit me miratimet e dhëna më parë të dy operatorëve të tjerë, shtojnë nga AKE.

Sipas njoftimit të AKE operatori që merr miratimin është i detyruar të sigurojë që deri në fund të vitit 2026 të paktën një qytet të mbulohet nga 5G, ndërsa deri në fund të vitit 2028 kjo t’i mbulojë korridoret kryesore të rrjetit bazë dhe gjithëpërfshirës të shpërndarjes në vend.

Deri në fund të vitit 2030 të gjitha qytetet në vend duhet të mbulohen me një sinjal të pandërprerë 5G, ndërsa deri në fund të vitit 2032 kjo mundësi duhet të jetë e disponueshme për çdo qytetar.

Bartësi i miratimit, shtojnë nga AKE, duhet të fillojë përdorimin e radiofrekuencave të caktuara jo më vonë se një vit nga data e fillimit të vlefshmërisë së miratimit.

Operatori hungarez i telekomunikacionit “4iG” më 12 dhjetor të vitit të kaluar dorëzoi dokumente në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike (AKE), duke shprehur kështu zyrtarisht interes për t’u bërë operatori i tretë celular në vend.

Dorëzimi i dokumenteve në AKE pasoi pasi në muajin nëntor të vitit të kaluar kompania hungareze e telekomunikacionit, e cila pas ndryshimit të qeverisë shprehu dëshirën për t’u bërë operatori i tretë në vend, hapi një kompani në Shkup me emrin “One Macedonia Telecommunications”, njoftoi atëkohë “Prizma”.

Informacioni për kompaninë u publikua në ueb faqen e Regjistrit Qendror, sipas të cilit kompania është e regjistruar në adresën e zyrës së avokaturës “Mihajlloski dhe Popovska”, ku bashkëthemelues është avokati Aleksandar Mihajlloski, i njohur si anëtar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Më pas lajmi për regjistrimin e kompanisë u konfirmua nga kompania përmes një komunikate për mediat.

Njoftimin për hyrjen potenciale të një operatori të tretë celular në vend në muajin korrik e bëri pikërisht zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili si arsye për këtë i përmendi çmimet e shërbimeve celulare, televizionit kabllovik dhe internetit, të cilat, siç tha ai, në vendin tonë janë më të larta se në shumicën e vendeve evropiane.

Në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar Qeveria dhe grupi hungarez i telekomunikacionit “4iG” nënshkruan në Shkup Memorandum mirëkuptimi me qëllim që, siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, të përshpejtohet transformimi digjital në vend në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor.

Sipas Raportit për Zhvillimin e Tregut të Komunikimeve Elektronike në tremujorin e tretë të vitit 2024, të publikuar nga AKE më 15 të këtij muaji, numri i përgjithshëm i abonentëve aktivë të telefonisë celulare në tremujorin e tretë të vitit 2024 ka arritur në 2.095.819, duke shënuar një rritje prej 9,7 përqind, krahasuar me tremujorin e tretë të kaluar të vitit 105 përqind.

Risia më e fundit në tregun e telefonisë celulare në vend ndodhi më 1 shkurt të vitit 2022, kur operatori hibrid virtual celular “M-Tel” i lansoi shërbimet e tij.