BDI: Majorizim institucional ndaj kulturës shqiptare – vetëm 13.8% e buxhetit për projekte shqiptare
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se të dhënat zyrtare për ndarjen e mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional ndaj kulturës shqiptare në Maqedoninë e The post BDI: Majorizim institucional ndaj kulturës shqiptare – vetëm 13.8% e buxhetit për projekte shqiptare appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
shkurt 2, 2026 - 17:00
0
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se të dhënat zyrtare për ndarjen e mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional ndaj kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku pabarazia nuk është rastësore, por sistematike dhe e qëndrueshme.
Sipas BDI-së, në sektorë kyç si dramë, folklor dhe botime, kultura shqiptare trajtohet si prani dytësore, ndërsa këto fusha – që prodhojnë narrativë, memorie dhe identitet kulturor – administrohen përmes një hierarkie të njëanshme, ku kultura maqedone ruan dominimin strukturor.
“Kultura shqiptare shtyhet në periferi institucionale, ndërsa kultura maqedone mban kontrollin e plotë mbi sektorët që formësojnë kujtesën kolektive dhe identitetin shtetëror,” thekson BDI.
Pabarazia, sipas partisë, bëhet e matshme në sektorët strategjikë. Në muzikë, projektet shqiptare kanë përfituar 2,518,000 denarë, krahasuar me 19,600,000 denarë për projektet maqedone, ose vetëm 12% të mjeteve totale.
“Këto mjete të kufizuara janë shpërndarë kryesisht përmes mekanizmave partiakë dhe klientelistë, duke e zhveshur financimin nga kriteret profesionale,” thuhet në reagim.
Në artet vizuele, projektet shqiptare kanë marrë 774,000 denarë, ndërsa ato maqedone 12,019,880 denarë, që përkthehet në më pak se 6% të buxhetit, duke përbërë, sipas BDI-së, një përjashtim pothuajse total nga prezantimi bashkëkohor kulturor.
Edhe projektet ndërkombëtare tregojnë pabarazi të thellë: 3,758,000 denarë për projekte shqiptare kundrejt 51,050,854 denarë për projekte maqedone, ose më pak se 7%.
“Në qendrat kulturore shtetërore në Nju Jork, Stamboll, Zagreb, Paris, Sofje dhe Tiranë, kultura shqiptare përfaqësohet simbolikisht me rreth 10 projekte, ndërsa ajo maqedone me mbi 100 projekte,” nënvizon BDI.
Në festivalet dhe manifestimet kulturore, projektet shqiptare kanë marrë 13,098,000 denarë, krahasuar me 73,288,300 denarë për projektet maqedone, duke e mbajtur kulturën shqiptare në rreth 15% të mjeteve.
Veçanërisht problematike, sipas BDI-së, është gjendja në sektorin e investimeve kulturore, ku institucionet shqiptare përballen me ndarje mizerabile, sporadike dhe pa peshë strukturore, duke mbetur jashtë projekteve kapitale dhe zhvillimit afatgjatë.
Një tjetër dimension shqetësues, sipas reagimit, është mungesa e qëllimshme e transparencës nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
“Mjetet katastrofale që u ndahen institucioneve kulturore shqiptare për programet vjetore mbahen të fshehura dhe nuk publikohen. Kjo pamundëson kontrollin publik dhe shërben për të maskuar nënfinancimin ekstrem,” thekson BDI.
Në total, nga 220,988,534 denarë të ndarë për kulturë, 30,436,000 denarë u janë ndarë projekteve shqiptare (13.8%), ndërsa 190,552,534 denarë projekteve maqedone (86.2%).
“Këto shifra nuk janë gabim administrativ, por dëshmi e një sistemi të qëndrueshëm majorizimi, segregimi dhe mungese transparence, ku kultura shqiptare tolerohet si prani, por mohohet si subjekt i barabartë kulturor dhe institucional,” përfundon reagimi i BDI-së. Gazeta Flaka