BDI përsëri me letër ndaj ndërkombëtarëve, kërkojnë të parandalojnë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve i cili mund të krijojë trazira

Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri u ka dërguar letër ndërkombëtarëve. Këtë herë në letrën e drejtuar ndaj SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, BDI-ja kërkon nga këta të fundit që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët për të cilin Gjykata Kushtetuese […]

dhjetor 7, 2024 - 15:00
 0  5
BDI përsëri me letër ndaj ndërkombëtarëve, kërkojnë të parandalojnë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve i cili mund të krijojë trazira
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri u ka dërguar letër ndërkombëtarëve. Këtë herë në letrën e drejtuar ndaj SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, BDI-ja kërkon nga këta të fundit që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët për të cilin Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë më 11 dhjetor. Në të kundërtën, nga BDI thonë se do të rrezikohet procesi eurointegrues i vendit dhe se do të ketë mundësi për destabilizim, raporton Portalb.mk.

BDI në letrën e dërguar thekson se ekzistojnë shqetësime të besueshme se Gjykata mund të shfuqizojë deri në tetë dispozita, duke rrezikuar integritetin e ligjit dhe duke minuar vetë themelet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

Sipas tyre, një vendim i tillë do të prishte vitet e zhvillimit, duke vënë në rrezik harmoninë ndëretnike dhe duke destabilizuar ekuilibrin e brishtë që ka mbajtur vendin të bashkuar.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të gjithë garantuesve të Marrëveshjes së Ohrit që të veprojnë me vendosmëri. Një riafirmim i fortë dhe i qartë i rëndësisë së Marrëveshjes dhe Ligjit për Gjuhët është i nevojshëm tani më shumë se kurrë. Angazhimi diplomatik me të gjitha palët është thelbësor për të parandaluar një vendim që do të minonte paqen, do të destabilizonte vendin dhe do të rrezikonte regresin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në letër.

Letër të ngjashme kreu i BDI-së Ali Ahmeti pati dërguar edhe në muajin tetor deri te udhëheqësit e lartë shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, ku adresoi tre çështje: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.

Një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari, në një prononcim për media foli për situatën aktuale të krijuar në vend, saktësisht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritetet të merret më 11 dhjetor.

Taravari theksoi se gjithë kjo katrahurë është si pasojë e papërgjegjshme nga qeveria e kaluar.

“Kjo situatë kaotike ka ardhur si pasojë e ish pushtetit, ku kishim një qeveri të papërgjegjshme. Gjitha këto punë kanë mund të mbyllen shumë më herët. Madje, edhe rasti kur u dërgua në Komisionin e Venedikut e kanë pasur njeriun e tyre që tash është deputet i BDI-së, që atëkohë ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Është dasht të mbyllet ky problem e mos të trashëgojmë ne problemet e tyre”, tha Taravari.

Sipas tij, kjo që bën Gjykata Kushtetuese është jashtë logjike dhe jashtë çdo norme njerëzore.

“Më gëzon fakti shumë që gjykatësit shqiptarë do ta bojkotojnë këtë seancë, sepse kjo që bënë Gjykata Kushtetuese është jashtë çdo logjike dhe jashtë çdo norme. Nëse merret një vendim që duhet të revidohet komplet ligji, kjo do të jetë situatë jo e mirë për shqiptarët por edhe për tërë vendin”, tha Taravari.

Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Gjykata nuk do të komentojë pikëpamjet e askujt. Seanca ku do të diskutohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar të mbahet më 11 dhjetor. Pas përfundimit të seancës do të mbahet një konferencë e rregullt për media ku do të jepen përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Kushtetuesja.

Ndërkaq është paralajmëruar se gjyqtarët shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë nëkëtë seancë.

Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu për Alsat deklaroi se nuk është e vërtetë që para Gjykatës Kushtetuese kontestohen vetëm 2-3 nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por 18 nene të cilat janë parashtruar nëpërmjet 13 iniciativave nga 46 subjekte, përfshirë akademikë, profesorë e parti politike.

“Në opinion deri tash është folur se kinse kontestohen 2-3 dispozita. Jo! Kontestohen 18 dispozita. A të kontestohen 18 dispozita të Ligjit për Gjuhët, do të thotë të kontestohet gjysma e ligjit…Në qoftë se të gjitha ato që kontestohen 18, dhe në qoftë se gjykata me shumicë votash e pranon kontestin e tyre edhe bën abrogimin e tyre, ne atëherë nuk kemi ligj. Do të thotë nëse pranohen këto, atëherë nuk kemi ligj. Bile-bile, për informimin tuaj, një prej kontesteve është edhe kontesti i përdorimit të termit gjuha shqipe, në dy dispozita përdoret”, deklaroi Kadriu.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.