Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve: Mos u bëni pjesë e skenarëve politikë, vendimet arbitrare cenojnë marrëdhëniet ndëretnike
Mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur e cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut lidhur me Ligjin për Gjuhët për të cilin pritet gjykata të vendosë me 11 dhjetor, ata kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, […]
Mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur e cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut lidhur me Ligjin për Gjuhët për të cilin pritet gjykata të vendosë me 11 dhjetor, ata kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, vendimet arbitrare sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike, raporton Portalb.mk.
“Nga sa kemi pasur rastin të dëgjojmë nga Ju, të nderuar Gjyqtarë, si dhe nga disa përfaqësues të lartë politikë (si, për shembull, deklaratat e Kryeministrit Mickoski, i cili pohon se do të abrogohen vetëm dy-tre nene të ligjit në fjalë), kemi arsye të dyshojmë se mund të bëheni pjesë e realizimit të një skenari me motive politike, që ka për qëllim pikërisht atë që po deklarohet haptas në nivelin më të lartë shtetëror”, thuhet në letër.
Ata theksojnë se duke pasur parasysh pozitën dhe rolin gjyqtarët kanë, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojnë të shpresojmë se nuk do të lejojnë realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar.
“Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato”, thuhet në letër.
Ata përmes letrës përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar tensione e pakënaqësi, kurdo që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara në rrugë institucionale.
Ata madje shprehën edhe mospajtim dhe indinjatë lidhur me vendimin për eliminimin e deklarimit të përkatësisë etnike.
“Çdo tendencë me të cilën synohet, qoftë edhe në mënyrë të sofistikuar, të ndryshohet karakteri i shtetit dhe ta shndërrojë përfaqësimin e drejtë vetëm në fjalë në letër, nuk i ndihmon kohezionit ndëretnik dhe besimit të ndërsjellë në shtetin tonë multietnik”, thuhet në letër.
Në mesin e nënshkruesve janë edhe tre rektorët e universiteteve në gjuhën shqipe në RMV: Jusuf Zejneli i Universitetit të Tetovës, Izet Zeqiri i Universitetit “Nënë Tereza” dhe Abdylmenaf Bexheti i Universitetit të Evropës Juglindore.
Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri u ka dërguar letër ndërkombëtarëve. Këtë herë në letrën e drejtuar ndaj SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, BDI-ja kërkon nga këta të fundit që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët.
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari tha se kjo që bën Gjykata Kushtetuese është jashtë logjike dhe jashtë çdo norme njerëzore. Sipas tij, nëse merret një vendim që duhet të revidohet komplet ligji, kjo do të jetë situatë jo e mirë për shqiptarët por edhe për tërë vendin.
Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ndërkaq është paralajmëruar se gjyqtarët shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë nëkëtë seancë.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
- LEXO: BDI përsëri me letër ndaj ndërkombëtarëve, kërkojnë të parandalojnë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve i cili mund të krijojë trazira
- LEXO: Kushtetuesja: Nuk do të komentojmë qëndrimet e askujt, është caktuar seanca për Ligjin e Gjuhëve
- LEXO: RMV, gjyqtarët kushtetues shqiptarë do të bojkotojnë seancën për Ligjin e Gjuhëve, të kontestueshëm plot 18 nene
- LEXO: RMV, më 11 dhjetor do të mbahet seanca e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për përdorimin e gjuhëve