BDI: VLEN po përjashton sistematikisht shqiptarët nga institucionet e rendit dhe sigurisë

Të dhënat nga konkursi i fundit për pranimin në Shkollën e Mesme të Policisë janë alarmante dhe dëshmojnë për një përjashtim sistematik të shqiptarëve nga strukturat e rendit dhe sigurisë. Nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, shqiptarët, ...

gusht 28, 2026 - 13:30
BDI: VLEN po përjashton sistematikisht shqiptarët nga institucionet e rendit dhe sigurisë

Të dhënat nga konkursi i fundit për pranimin në Shkollën e Mesme të Policisë janë alarmante dhe dëshmojnë për një përjashtim sistematik të shqiptarëve nga strukturat e rendit dhe sigurisë. Nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera joshumicë janë vetëm 11, ndërsa shqiptarët përbëjnë më pak se 3 për qind. Kjo nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat, por një shpërfytyrim i strukturës reale të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky konkurs nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm një tjetër dëshmi e një politike që po i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë. Kur një komunitet që përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë përfaqësohet me përqindje simbolike në polici, atëherë nuk kemi të bëjmë me një dështim të zakonshëm të një konkursi, por me mungesë të mekanizmave dhe vullnetit për të garantuar përfaqësim të drejtë.

Më shqetësuese është se ky fenomen po prek edhe komunitetet e tjera joshumicë. Po krijohet një supremaci institucionale që përshkon një mendësi moniste: dikush sillet si zot shtëpie, ndërsa të tjerët trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, si qiraxhinj në vendin e tyre. Kjo është e papranueshme në një shtet multietnik dhe paraqet kthim prapa të gjithçkaje që është ndërtuar ndër vite përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe reformimit të institucioneve.

BDI kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë dhe të përsëritet mbi kritere që garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjitha komuniteteve. Përgjegjësia politike për këtë situatë duhet të jetë e menjëhershme. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme duhet të japë dorëheqje, sepse prania formale e një zyrtari në këtë pozitë nuk mund të shërbejë si alibi për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet që duhet t’i përfaqësojnë të gjithë qytetarët.

Njëkohësisht, kërkojmë që në strukturat e policisë, rendit dhe sigurisë të vendosen mekanizma të qartë, të matshëm dhe detyrues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, nga rekrutimi deri te pozitat drejtuese. Nuk mund të lejohet që ajo që është ndërtuar me vite të zhbëhet brenda dy vitesh dhe që shqiptarët të reduktohen në dekor institucional, ndërkohë që vendimmarrja dhe strukturat e sigurisë përqendrohen gjithnjë e më shumë në një dorë.

Kjo nuk është çështje e një konkursi, as çështje e një individi. Është çështje e barazisë, e karakterit multietnik të shtetit dhe e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegj, por përfaqësim. Kërkojnë pjesën që u takon sipas strukturës së popullsisë. Çdo gjë tjetër është përjashtim sistematik dhe kthim i rrezikshëm prapa.

The post BDI: VLEN po përjashton sistematikisht shqiptarët nga institucionet e rendit dhe sigurisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.