Berisha-Balla debat për integrimin: Hiqni dorë nga hedhja e baltës ndaj Shqipërisë
Sali Berisha dhe Taulant Balla u përfshinë në debat në Kuvend për çështjen e integrimit. Kreu demokrat akuzoi mazhorancën se mbylli derën e integrimit, por kreu i grupit socialist tha se po hedh baltë ndaj Shqipërisë. Sipas Berishës procesi i integrimit është penguar dhe se Shqipëria po dëmtohet në arenën ndërkombëtare për shkak të korrupsionit. […]
Sali Berisha dhe Taulant Balla u përfshinë në debat në Kuvend për çështjen e integrimit. Kreu demokrat akuzoi mazhorancën se mbylli derën e integrimit, por kreu i grupit socialist tha se po hedh baltë ndaj Shqipërisë.
Sipas Berishës procesi i integrimit është penguar dhe se Shqipëria po dëmtohet në arenën ndërkombëtare për shkak të korrupsionit.
“Integrimin evropian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguar të diskredituar, të cilët jo që nuk u zgjidhin ju punë, por përkundrazi neverisin të gjithë ata që i takojnë. E bazoni në telefonata të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon, që i kap dhe nuk i lëshon në telefon. Por ky nuk është procesi i integrimit”, u shpreh Berisha.
Në përgjigje të tij, Balla hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se negociatat me Bashkimin Europian nuk janë të bllokuara dhe se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj në procesin e integrimit.
“Në Kuvend ka mbërritur raporti i qeverisë për integrimin në BE bashkuar raportin e 3 muajve të parë të 2026. Ajo që duhet t’ua themi me krenari shqiptarëve nuk është shpresa apo mallkimet e atyre që thonë çdo ditë që negociatat ngecën dhe Shqipëria është bllokuar. Është fakt nga BE që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit, piketat e ndërmjetme gjithashtu. Ka një procedurë që nga komisioni kalon te këshilli dhe më pas në shtete anëtare.
Kallas tha se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të bëhen gati për zgjedhjet europiane në 2029. Ky është fakt. Në lidhje me haberet që the, ne e dimë mirë çfarë është ajo që bëni ju, hiqni dorë nga balta që i hidhni Shqipërisë, nuk e keni vend armik, jeni pjesë e pa zëvendësueshme e demokracisë, nuk e zgjedhim dot njëri-tjetrin, por është koha të bashkohemi. Nuk ju bën nder aspak të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Lexoni raportin që do të miratohet nga BE më 5 maj ku bëhet thirrje të punojmë bashkë. Merrni përgjegjësitë që ju takojnë”, u përgjigj Balla.