Berisha: VLEN në Këshillin e Shkupit mbështeti transportin, shkollat dhe 17 plane punësimi për 2027

Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të VLEN-it në seancën e 19-të të Këshillit të Qytetit ka mbështetur një sërë vendimesh që lidhen me funksionimin e shërbimeve publike dh...

tetor 1, 2026 - 19:30
Berisha: VLEN në Këshillin e Shkupit mbështeti transportin, shkollat dhe 17 plane punësimi për 2027

Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të VLEN-it në seancën e 19-të të Këshillit të Qytetit ka mbështetur një sërë vendimesh që lidhen me funksionimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.

Sipas Berishës, në seancë janë mbështetur masa për organizimin e transportit publik, rendin komunal, sinjalizimin e trafikut, funksionimin e shkollave me numër më të vogël nxënësish, si dhe investimet për efikasitetin energjetik në shkollat e mesme të qytetit.

Në mesin e vendimeve ishin edhe programet për funksionimin e institucioneve publike dhe kulturore, ndërsa u miratuan edhe planet vjetore të punësimit për vitin 2027 për Qytetin e Shkupit, ndërmarrjet publike dhe institucionet e qytetit.

“Mandati në Këshill nuk është vetëm një ulëse dhe as vetëm një votë. Është përgjegjësi për të kërkuar, negociuar dhe realizuar zgjidhje konkrete për qytetarët që na kanë dhënë besimin e tyre”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se vendimet e mbështetura nga VLEN-i janë rezultat i punës dhe koordinimit me partnerët e koalicionit që udhëheqin Qytetin e Shkupit.

“VLEN nuk është në Këshill për të bërë zhurmë, jemi këtu për të prodhuar rezultate”, tha Berisha.

Ai shtoi se grupi i këshilltarëve do të vazhdojë të mbështesë projektet që vlerëson si të dobishme për Shkupin dhe të kërkojë që premtimet të shndërrohen në punë të realizuara.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.