Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja në vitin 2023 nuk kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve te Alta Banka, por kishte miratuar një konkluzion për angazhimin e Avokatit të Shtetit, me qëllim mbrojtjen e interesave shtetërore. Kështu deklaroi sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për media në Kuvend.

Filipçe, së bashku me grupin parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit, prezantoi procesverbalin e një seance të Qeverisë të mbajtur më 24 tetor 2023, për të cilin tha se i përgënjeshtron pretendimet e kryeministrit Hristijan Mickoski, të bëra gjatë seancës mbikëqyrëse për Alta Bankën.

“Kryeministri sot, në seancën mbikëqyrëse, tha një gënjeshtër brutale. Ai gënjeu se Qeveria e LSDM-së në vitin 2023 kishte marrë vendim për të hyrë në marrëdhënie afariste, siç tha vetë, me Alta Bankën nga Serbia”, deklaroi Filipçe.

Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një procedurë që lidhet me aksionet që Maqedonisë i takonin në bazë të sukcesionit nga ish-Jugosllavia. Sipas tij, Davor Macura kishte kërkuar t’i blinte këto aksione, por nuk kishte marrë pëlqimin e qeverisë së atëhershme.

Filipçe tha se pasi Macura kishte fituar mbi 90 për qind të aksioneve në Alta Bankën e Beogradit, aksionet e mbetura ishin marrë pa pëlqimin e palës maqedonase, në bazë të mekanizmit të paraparë nga legjislacioni serb.

“Sipas ligjit serb, kur dikush zotëron mbi 90 për qind të aksioneve, automatikisht i blen edhe aksionet e aksionarëve të tjerë, pa pëlqimin e tyre, siç kemi qenë ne, përkatësisht Ministria jonë e Financave. Pra, Davor Macura, sipas rregullave të Bursës së Beogradit, i blen aksionet e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut pa pëlqimin tonë, sepse nuk i nevojitet”, tha Filipçe.

Ai shtoi se pas këtij procesi, më 24 tetor 2023, Qeveria kishte miratuar një konkluzion për mbrojtjen e interesit shtetëror, me të cilin parashihej që Avokatura e Shtetit të vendoste komunikim me institucionet serbe.

“Vendimi, përkatësisht konkluzioni i seancës qeveritare, ishte që të angazhohej Avokatura e Shtetit si organ që mbron interesin shtetëror, përfshirë edhe aksionet e pakicës që ishin blerë pa pëlqimin tonë, për të hyrë në komunikim me institucionet serbe, me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Filipçe.

Ai nënvizoi se në dokument nuk ka asnjë vendim për shitjen e aksioneve apo për vendosjen e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën.

“Asnjë fjalë për shitjen e aksioneve, asnjë fjalë për krijimin e interesave biznesore me Alta Bankën. Thjesht dhe vetëm bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave shtetërore. Ky është i gjithë procesi, i mbështetur me dokumente”, deklaroi Filipçe, duke paralajmëruar se dokumentet do t’u dorëzohen edhe mediave dhe opinionit publik.

Sipas tij, paraqitja e kryeministrit është përpjekje për ta bartur te qeveria e kaluar përgjegjësinë për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.

Filipçe kërkoi që rastin ta hetojë edhe Prokuroria Publike.

“Kjo është edhe një arsye që Prokuroria Themelore Publike të përfshihet dhe të hetojë mirë se përse kryeministri ka nevojë të gënjejë dhe të manipulojë në këtë mënyrë para opinionit publik”, përfundoi Filipçe.

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.