Çdo dimër më i rëndë, Tetova nën smog: Shëndeti i qytetarëve nën kërcënim, institucionet me vite në gjumë

Sezoni i ngrohjes në Tetovë nënkupton zhytje të qytetit dhe rrethinës në ndotje të madhe të ajrit dhe thithje të smogut. Vendi nuk shpëtoi nga ky problem as këtë sezon, shkaktari kryesor për këtë problem mbetet mënyra e ngrohjes. Derisa qytetarët ankohen se ndotja u shkakton probleme shëndetësore dhe ekspertët tani e shumë vite alarmojnë […]

Jan 26, 2025 - 09:00
 0  5
Çdo dimër më i rëndë, Tetova nën smog: Shëndeti i qytetarëve nën kërcënim, institucionet me vite në gjumë
Ajri i ndotur në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sezoni i ngrohjes në Tetovë nënkupton zhytje të qytetit dhe rrethinës në ndotje të madhe të ajrit dhe thithje të smogut. Vendi nuk shpëtoi nga ky problem as këtë sezon, shkaktari kryesor për këtë problem mbetet mënyra e ngrohjes. Derisa qytetarët ankohen se ndotja u shkakton probleme shëndetësore dhe ekspertët tani e shumë vite alarmojnë për pasojat fatale, autoriteteve nuk ju bëhet vonë për shëndetin e qytetarëve të tyre, masat që ndërmarrin janë sa për sy e faqe, shkruan Portalb.mk.

Viti 2025 filloi me ndotje enorme të ajrit në Tetovë, ashtu si edhe çdo vit tjetër. Ky qytet shpesh është gjendur në top listat botërore për nga ndotja e ajrit. 

Me hyrjen në sezonin dimëror problemi thellohet më tepër për shkak të lëndëve djegëse në amvisëri, ndërsa ndotja më e madhe paraqitet gjatë mbrëmjes. 

Janar i ‘nxehtë’

Mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 deri më 22 janar është 72.75 μg/m3, vlera mesatare ditore e PM10 nuk mund të kalojë 50 mikrogramë për metër kub. Dita më e ndotur ishte 1 janari me vlerën mesatare të PM 10 prej 151.88 μg/m3. 

Ndërsa mesatarja e regjistruar e grimcave PM2.5 për këtë periudhë është 68.34 μg/m3 nga vlera e lejuar 25 μg/m3. Ngjashëm, edhe vlera më e lartë e grimcave PM 2.5 u regjistrua ditën e parë të vitit. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shifra alarmante ndër vite 

Që problemi nuk po zgjidhet me vite, këtë e tregojnë shifrat e ndotjes, të cilat çdo vit gjatë muajve nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt arrijnë kulmin. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët: Kemi probleme shëndetësore nga ndotja e ajrit 

Djegia e plastikeve në oxhaqe, ndezja e mbetjeve nëpër dyqane, djegia e lëndëve me përbërje kimike të ndryshme, djegia e kabllove elektrike dhe pajisjeve tjera. 

Këto janë vetëm disa nga ndotësit kryesorë të e ajrit në Tetovë, të cilët i raportuan qytetarët për Portalb.mk.

Ndotje e ajrit nga ngrohja. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ndotje e ajrit nga ngrohja. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët u shprehën se amvisëritë dhe bizneset mbeten faktorët kryesorë që kontribuojnë në masë të madhe ndaj ndotjes së ajrit. 

Një banor i lagjes 146 u shpreh se nga ndotja e madhe nganjëherë nuk mund të dalin jashtë nga era e keqe. 

“Disa familje të varfëra blejnë lirë mbetje mobiliesh nga pronarë të pandërgjegjshëm, të cilët në vend se të paguajnë për asgjësimin e tyre, ata përfitojnë duke helmuar qytetarët. Shumë banorë ankohen nga dhimbje gjoksi, marramendje, dhimbje koke, plogështi etj. Madje disa persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut”, tha qytetari. 

Materiale që përdoren për ngrohje. Foto e dërguar nga një qytetar për Portalb.mk
Materiale që përdoren për ngrohje. Foto e dërguar nga një qytetar për Portalb.mk

Qytetarët kërkojnë masa më të rrepta dhe efektive nga institucionet për ndotësit e ajrit. 

“Bizneset në veçanti punëtoritë e ndryshme si mekanikët që djegin vaj automobilash, dhe substanca tjera toksike. Lehtë mund të kontrollohen dhe dënohen dhe po ashtu të ndalohen”, tha një qytetar tjetër 

Ndotës të ajrit në Tetovë. Foto e dërguar nga një qytetar për Portalb.mk
Ndotës të ajrit në Tetovë. Foto e dërguar nga një qytetar për Portalb.mk

Mjeku Davidovski: Më të rrezikuar janë fëmijët dhe të moshuarit 

Mënyra e ngrohjes mbetet një nga faktorët kryesor t ndotjes edhe sipas mjekut nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë Ratko Davidovskit. 

“Karakteristike për rritjen e ndotjes së ajrit është kur fillon sezoni i ngrohjes, veçanërisht në janar për shkak se kemi inversione të temperaturave, edhe aspekti meteorologjik ndikon, por ndikon edhe komunikacioni, ndërtimtaria edhe pse në këtë periudhë jo shumë por shohim se ndërtohet, pas asaj higjiena komunale, të gjithë këto faktorë ndikojnë, veçanërisht te fëmijët deri në pesë vjeç, të moshuarit mbi 60 vjeç dhe të sëmurit kronikë”, thotë Davidovski. 

Ratko Davidovski. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ratko Davidovski. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Aktivistja e mjedisit: Shëndeti i qytetarëve nuk është prioritet i institucioneve 

Pavarësisht se ndotja e ajrit ka qenë e lartë edhe në janar të këtij viti dhe ditëve kur u tejkalua pragu i alarmimit, aktivistja e mjedisit Elmedina Abdullai thotë se autoritetet komunale edhe pse kanë detyrim ligjor nuk kanë publikuar asnjë njoftim. 

“Qytetarët nuk kanë qasje në informacione as në ueb as në faqet zyrtare në Facebook. Ky injorim i situatës nga autoritetet është një anashkalim i drejtpërdrejtë i qytetarëve, duke i lënë ata të frikësuar dhe të pasigurt”, thotë Abdullai. 

Ajo thotë se komuna duhet të ndërmarrë masa serioze dhe transparente për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të adresuar këtë krizë që vazhdon të kërcënojë jetën në Tetovë. 

“Kontrollet dhe vendimet e Inspektoratit të Komunës gjithashtu nuk janë publikuar, duke mos informuar qytetarët për masat që po merren, nëse ka ndonjë veprim. Së fundi, problemi përkeqësohet nga nxehja e objekteve publike me substanca ndotëse, si dhe trafikut të stërngarkuar duke kontribuar në përkeqësimin e kushteve të jetesës”, tha Abdullai. 

Elmedina Abdullai. Foto: Portalb.mk
Elmedina Abdullai. Foto: Portalb.mk

Komuna e Tetovës: Kemi shqiptuar dënime 

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës Besarta Ramadani për mediat ka bërë të ditur se ndaj ndotësve janë shqiptuar dënime dhe paralajmërime. 

“Diku deri në 40 dënime janë për persona fizikë që shkojnë nga 50 deri në 800 euro, ndërsa për personat juridikë nga 1000 deri 1800 euro, dhe kemi diku rreth 80 vërejtje të personave të cilët kanë bërë ndotjen e ambientit jetësor me qëllim që mos ta përsëritin këtë gabim”, tha Ramadani. 

Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në programin zgjedhor të kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit, me të cilin ai erdhi në krye të komunës, parashihen shumë masa për ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit. Megjithatë, përveç disa aktiviteteve simbolike, shumica e këtyre premtimeve nuk janë përmbushur ende. 

“Të merremi me shkaqet jo me pasojat” 

Ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti duke u thirrur në masat afatshkurta që ka sjellë Qeveria tha se inspektoratet janë në veprim ndaj ndërmarrjeve që ndotin, rreth komunikacionit dhe tjerave. 

Unë jam i prirur që të merremi më shumë me shkaqet dhe jo pasojat, mendoj që shkaku kryesor në bazë të hulumtimeve dhe analizave edhe në Bankës Botërore edhe UNDP-së por edhe të institucioneve shkencore që janë në RMV, kanë ardhur në përfundim se ndotja është se përdoret gjithçka për ngrohje, nga amvisëritë dhe nga industria, dhe kjo është arsyeja kryesore për ndotje të ajrit sepse po të ishte vetëm nga ndërmarrjet atëherë do të kishim ndotje edhe gjatë verës dhe pranverës, por ndotje ka atëherë kur ka nevojë për ngrohje”, tha Mexhiti. 

Ai tha se do të provohet të vihet në funksion gazifikimi i plotë i RMV-së, sidomos në qendrat urban, dhe se do ketë mbështetje për inverterë, si dhe aktivitete tjera nga fusha e transportit. 

Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami para mediave në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami para mediave në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se pjesë e masave afatshkurta që Qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e ri të veprimit për uljen e ndotjes së ajrit janë inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna etj. Për këto masa është miratuar urdhri që të zbatohet në rastet kur ndotja do të kalojë kufijtë e alarmit. 

Si të veproni kur ka ndotje të ajrit? 

Rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik kur ka ndotje përfshijnë këto masa: 

  • Të qëndrohet në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë.
  • Personat me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik.
  • Gratë shtatzëna të qëndrojnë në shtëpi.
  • Personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre.
  • Përdorimi i maskave me efikasitet të provuar.
  • Ata me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin.
  • Shmangja e qëndrimit dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion).
  • Të mos hapen dritaret në shtëpinë tuaj.
  • Të përdoren pastruesit e ajrit pa jonizator. 
  • Qytetarët mund ta padisin shtetin për ndotjen e ajrit.

Qytetarët mund ta padisin shtetin, por vështirë se fitojnë 

Derisa qytetarët presin që institucionet të ndërmarrin veprime, ata munden ta padisin shtetin për ta realizuar të drejtën e tyre për ajër të pastër shëndetit të tyre. 

Pas vendimit të cilin e solli Gjykata Supreme në muajin tetor të vitit 2024 qytetarët mundet që të ngrenë procedurë në Gjykatën Administrative për të zhvilluar kontest kundër shtetit nëse rrezikohet shëndeti i tyre. Ky vendim i Gjykatës Supreme pasoi pas nismës së dorëzuar nga organizata joqeveritare. 

Megjithatë juristët kanë shpjeguar se edhe sikur të ngrihet padi kundër, shteti fillimisht duhet t’i miratojë strategjitë e nevojshme, ndërsa për dëmshpërblim duhet të krijohet praktikë gjyqësore. 

Mjegull dhe ajër i ndotur në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mjegull dhe ajër i ndotur në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Alarme të njëpasnjëshme nga raportet vendore dhe ndërkombëtare 

Në janar 2025 një raport i Euronews theksoi se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga ndotja e ajrit, që do të thotë se ka numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur. 

Raporti i UNICEF-it në shtator 2024 tregoi se në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare. 

Banka Botërore në dhjetor 2024 raportoi se ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore. 

Raporti i Institutit për Shëndet Publik i publikuar në 2024 nxori në pah se në 2023 pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në RMV mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5. 

Ndota e ajrit është përmendur vazhdimisht edhe nga BE-ja si problem kronik për RMV-në. 

Shkupi shumë herë është radhitur në krye të listave të qyteteve më të ndotura në Evropë dhe Botë. Për shkak të ajrit të ndotur janë mbajtur edhe protesta. 

Të gjithë këto alarmime nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në RMV të marrin masa urgjente për këtë problem.