Në gjysmën e dytë të këtij viti Maqedonia e Veriut do t’i marrë sistemet e mbrojtjes kundërajrore nga Franca
Në gjysmën e dytë të këtij viti pritet të Republika e Francës të ja dorëzojë Maqedonisë së Veriut në dy faza sistemet e mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta. Për prokurimin e këtyre sistemeve vendi e ka paguar këstin e parë në fund të vitit 2022, ndërsa pagesat tjera janë bërë gjatë viteve 2023, […]
Në gjysmën e dytë të këtij viti pritet të Republika e Francës të ja dorëzojë Maqedonisë së Veriut në dy faza sistemet e mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta. Për prokurimin e këtyre sistemeve vendi e ka paguar këstin e parë në fund të vitit 2022, ndërsa pagesat tjera janë bërë gjatë viteve 2023, 2024 dhe i fundit do të bëhet këtë vit, 2025. Sidoqoftë, ende nuk ka datë të saktë se kur do të bëhet dorëzimi, përpos që do të jetë në gjysmën e dytë të vitit, konfirmuan për Portalb.mk nga Ministria e Mbrojtjes.
“Prokurimi i pajisjeve të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër për nevojat e Ushtrisë – Sistemi raketor Mistral 3, është në përputhje me angazhimin teknik të nënshkruar me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Francës në shtator 2022. Dorëzimi i këtyre mjeteve është planifikuar të realizohet në dy faza në gjysmën e dytë të vitit 2025”, u përgjigjën nga Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes filloi prokurimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës gjatë kohës që kjo ministri udhëhiqej nga Sllavjanka Petrovska, për të cilat në vitin 2022 është nënshkruar marrëveshje ndërmjet dy Qeverive. Marrëveshja është nënshkruar në vizitën zyrtare të ministres së Mbrojtjes në Paris në tetor të vitit 2022.
Pajisjet e mbrojtjes kundërajrore janë në përputhje me të gjitha standardet e NATO-s, si dhe në përputhje me objektivat e kapaciteteve që Maqedonia e Veriut i ndërmerr si shtet anëtar dhe si pjesë përbërëse e sistemit kolektiv të mbrojtjes dhe sigurisë së NATO-s.
“Është një marrëveshje shumëvjeçare, në kuadër të së cilës pagesa do të realizohet në vitet e ardhshme. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat e mëposhtme do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025. Dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës pritet gjatë vitit 2025”, thuhej në një përgjigje për redaksinë tonë nga Ministrisë së Mbrojtjes gjatë viti 2023.
Maqedonia e Veriut, prej se është bërë anëtare e NATO-s, vazhdimisht ka shënuar rritje në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Portalb.mk, pyeti në ministrinë e Mbrojtjes për diskutimin e mundshëm të rritjes së BPP-së për vendet e NATO-s, të cilën e përmendi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, por nuk morëm ndonjë koment, ndërsa sa i përket buxhetit, ata njoftuan se do të ketë rritje për 322.360.000 denarë më shumë viti paraprak.
“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, pritet të jetë 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti pritet të rritet për 322.360.000 denarë që tregon se buxheti këtë vit pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes është në përputhje me vendimin e samitit të NATO-s në Uells në vitin 2014, i cili u konfirmua në samitin e NATO-s në Uashington këtë vit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Portalb.mk.
Prej se vendi është bërë anëtar i NATO-s në vitin 2020, e deri në vitin 2024, buxheti është rritur për pothuajse 10 miliardë denarë, më saktësisht 9.995.460.000.
Siç shihet, veçanërisht në tre vitet e fundit, rritja e buxhetit të Mbrojtjes ka qenë vazhdimisht mbi 2 ose 3 miliardë denarë.
Përndryshe, mbrojtja ka pasur buxhetin më të ulët në vitin 2017, kur ka qenë rreth 94 milionë denarë apo 0,89% e bruto prodhimit vendor (BPV).
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.
Në kohën kur vendi përpiqet të arrij 2 përqindëshin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të presidentit të dikurshëm dhe të ardhshëm amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës.
“Nuk ka të bëjë vetëm me Trumpin”, tha Rutte. “Unë besoj fuqishëm – dhe shumë aleatë pajtohen – se 2% thjesht nuk mjafton. Për momentin është e mjaftueshme, por nëse duam të ruajmë parandalimin efektiv në afat të gjatë, duhet të shpenzojmë më shumë”.
Kur u pyet nëse anëtarët evropianë të NATO-s duhet të përgatiten për të përmbushur një objektiv të mundshëm të shpenzimeve prej 3% të PBB-së, shifër e sugjeruar nga Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump – Rutte pranoi se presidenca e parë e Trumpit kishte bërë presion për shumë aleatë për të arritur pragun prej 2%. Lufta në Ukrainë shtoi urgjencën e mëtejshme.
“Tani për tani, ne mund të mbrohemi dhe askush nuk ka dëshirë të na sulmojë. Por duhet të sigurohemi që kjo të jetë e vërtetë në katër deri në pesë vjet”, shtoi ai.
Rutte sugjeroi që objektivat e ardhshme të shpenzimeve mund të përshtaten për vendet individuale, duke reflektuar nevojat e tyre specifike dhe boshllëqet në aftësi.