Çdo i pesti qytetar në Maqedoninë e Veriut jeton në varfëri

Sipas të dhënave më të fundit, rreth 21.9% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën pragun e varfërisë, me rrezikun më të lartë që prek prindërit e vetëm dhe fëmijët. Praktikisht, çdo i pesti qytetar përballet me të ardhura nën nivel...

maj 5, 2026 - 16:01
Çdo i pesti qytetar në Maqedoninë e Veriut jeton në varfëri

Sipas të dhënave më të fundit, rreth 21.9% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën pragun e varfërisë, me rrezikun më të lartë që prek prindërit e vetëm dhe fëmijët. Praktikisht, çdo i pesti qytetar përballet me të ardhura nën nivelin minimal, ndërsa çdo e dyta familje në këtë kategori përballet me sfida serioze ekzistenciale.

Këto të dhëna burojnë nga analizat e Enti Shtetëror i Statistikave, i cili ka publikuar së fundmi indikatorët për vitin 2024, përcjell DW.

Sipas përllogaritjeve zyrtare, pragu i varfërisë për një person të vetëm është 178.286 denarë në vit, ndërsa për një familje katëranëtarëshe (dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç) arrin në 374.400 denarë në vit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se pa transferet sociale dhe pensionet, shkalla e varfërisë do të rritej në 39.4%, duke dëshmuar rolin kyç të mbështetjes shtetërore në zbutjen e varfërisë.

Familjet e mëdha dhe prindërit e vetëm më të prekurit

Situata më e rëndë paraqitet te familjet me shumë anëtarë dhe te prindërit e vetëm. Në familjet me dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë, shkalla e varfërisë arrin në 54.8%, që do të thotë se çdo e dyta familje e tillë përballet me vështirësi të rënda ekonomike.

Ngjashëm, edhe te prindërit e vetëm, 45.8% jetojnë në varfëri, çka tregon për probleme strukturore në sigurimin financiar të kësaj kategorie të ndjeshme.

Papunësia dhe fëmijët në rrezikun më të madh

Sipas analizës, personat e papunë janë më të ekspozuar ndaj varfërisë, me një shkallë prej 45.7%. Ndërkohë, te të punësuarit kjo përqindje është 7.9%, ndërsa te pensionistët 12%.

Në aspektin e moshës, më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të rinjtë deri në 17 vjeç, me 29.5% që jetojnë në varfëri. Tek të moshuarit mbi 65 vjeç, kjo shifër është 20.1%.

Sipas të dhënave të mëparshme, mbi 120.000 fëmijë në vend, ose 32.8% e tyre, jetojnë nën pragun e varfërisë. Kjo normë është rreth 50% më e lartë se ajo e të rriturve dhe ka shënuar rritje nga 28% në vitin 2015 në 32.8% në vitin 2021, duke treguar se fëmijët mbeten ndër më të përjashtuarit nga zhvillimi ekonomik në vend. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.