Certifikata të dyshimta për njohjen e gjuhës në Maqedoninë e Veriut: Si e anashkalojnë sistemin zyrtarët
Polemikat rreth certifikatës për njohjen e gjuhës angleze të drejtorit të sapoemëruar të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, nxorën në sipërfaqe dyshime se për vite me radhë gjatë përzgjedhjes së drejtorëve janë përdorur certifikata për njohje të gjuhëve të huaja me origjinë të dyshimtë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk. Për të marrë postin e drejtorit […]


Polemikat rreth certifikatës për njohjen e gjuhës angleze të drejtorit të sapoemëruar të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, nxorën në sipërfaqe dyshime se për vite me radhë gjatë përzgjedhjes së drejtorëve janë përdorur certifikata për njohje të gjuhëve të huaja me origjinë të dyshimtë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Për të marrë postin e drejtorit ai ka dorëzuar certifikatën TOEFL, të cilën e ka marrë nga kompania bullgare “Julija”, e cila ka një kohë ë gjatë që nuk është aktive. KSHPK e hapi dhe mbylli shpejt lëndën dhe topin ia kaloi prokurorisë, e cila ka më shumë se tre muaj që po heton nëse certifikata është apo nuk është e vlefshme.
E përderisa ende nuk dihet rezultati i këtij hetimi, BIRN ka zbuluar mospërputhje të ndryshme lidhur me rregullat ligjore për certifikatat, por edhe mënyra të tjera “kreative” për marrjen e vërtetimeve për dhënien e një provimi, si dhe standarde të dyfishta prokuroriale për hetimet për certifikatat e kontestuara për njohjen e gjuhës.
Ndërkohë, Qeveria po harton ndryshime ligjore, me të cilat do fshijë emrat e certifikatave që njihen si të vlefshme.
Në fillim e ka marrë certifikatën, pastaj është regjistruar për t’iu nënshtruar provimit
“Urime!” Jeni një hap larg arritjes së qëllimeve tuaja. Tani që keni krijuar një llogari ETS, hapi tjetër në udhëtimin tuaj do të jetë regjistrimi për testin TOEFL.
Këtë mesazh të automatizuar e ka marrë njëra nga dy drejtoreshat e dënuara, i cila ka dorëzuar një certifikatë të falsifikuar TOEFL (Test of English as a Foreign Language) për njohjen e gjuhës angleze, në të cilën kishte qasje BIRN.
Këtë mesazh brenda disa sekondash e pranon secili person që krijon një profil në ETS, një kompani amerikane që është e vetmja në botë që lëshon certifikata TOEFL. Por ky mesazh është vetëm fillimi i procesit. Pas kësaj kandidati duhet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohet provimit në një nga qendrat me të cilat bashkëpunon ETS.
Megjithatë, kandidatja për drejtoreshë në një shkollë ka dorëzuar certifikatë se provimin e ka kaluar në datë 03.12.2022, ndërsa vërtetimi elektronik se është regjistruar në sistemin ETS është nga data 06.12.2022, pra tri ditë pasi pretendohet se ajo e ka dhënë provimin. Ajo ka dorëzuar edhe një certifikatë nga studioja gjuhësore bullgare “Julija”, në të cilën thuhet se ka ndjekur një kurs përgatitor online në muajin nëntor, dhe këtë ia ka bashkangjitur certifikatës TOEFL si dëshmi se i posedon të gjitha kualifikimet për t’u bërë drejtoreshë.
Ajo e pranoi fajin, u dënua dhe nuk është më në detyrë.
Po në të njëjtin vit, vetëm nëntë muaj më parë, nga e njëjta studio gjuhësore “Julija” certifikatë mori drejtori i sapoemëruar i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski.
Ai thotë se certifikata e tij nuk është e falsifikuar. Kontrollin e vlefshmërisë së dokumentit antikorrupsionerët ia kaluan prokurorisë së Shkupit.
Nga ajo kohë kanë kaluar plot tre muaj. Prokurori shtetëror dhe kreu i Prokurorisë së Shkupit në daljet e tyre publike e thonë të njëjtën gjë – që presin ndihmë nga Bullgaria.
Dëshmi që (nuk) kërkohet
E përderisa ky rast po zhytet në harresë, BIRN zbulon se autoritetet hetimore, qëllimisht ose jo, hetimin për drejtoreshat dhe për drejtorin e ri të ASK-së po e zhvillojnë në mënyra të ndryshme.
U drejtuam në Prokurorinë e Shkupit për të parë nëse është kërkuar ndihmë nga Bullgaria për lëndën me dy drejtoreshat, të cilat kanë dorëzuar certifikatë nga e njëjta studio bullgare dhe e kanë pranuar fajësinë, ashtu siç po kërkojnë tashmë prej tre muajsh për certifikatën e Hristovskit.
Për atë rast prokuroria nuk ka kërkuar ndihmë nga Bullgaria, sepse policia “e ka verifikuar vlefshmërinë e dokumenteve përmes kanaleve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, për të cilat ka dorëzuar edhe dëshmi në kallëzimin penal”.
Shenja të veçanta sigurie
Në faqen zyrtare të ETS thuhet se TOEFL ka disa shenja sigurie në testet e printuara, si “boja speciale të ndjeshme ndaj nxehtësisë që kur aktivizohet e vërteton autenticitetin e raportit, shiriti i argjendtë i cili pamundëson skanimin ose fotokopjimin e raportit për rezultatin”…
As nga policia dhe as nga prokuroria nuk dhanë përgjigje se çfarë dëshmish ka dorëzuar policia me kallëzimet penale ndaj drejtoreshave nga të cilat mund të shihet se vërtetimet nga studio e gjuhëve “Julija” janë të pavlefshme.
Është e paqartë pse MPB-ja dhe prokuroria, e në këtë rast përmes SHBA-ve, ku është e regjistruar kompania, nuk e pyesin kompaninë e cila i lëshon këto certifikata nëse i është lëshuar një dokument i tillë edhe Hristovskit, sepse certifikatat i lëshon ETS, ndërsa qendrat gjuhësore e realizojnë vetëm provimin.
Sipas një burimi të BIRN që ka pasur mundësi ta shikojë lëndën, dy drejtoreshat janë zënë në gënjeshtër pikërisht në këtë mënyrë. Në rastin e tyre Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë përgjigje nga ETS se emrat e dy drejtoreshave nuk kanë figuruar në sistemin e tyre.
Në pyetjen drejtuar prokurorisë, për atë nëse kanë kërkuar përgjigje nga kompania, nuk morëm një përgjigje precize. Nga atje vetëm përsëritën se pritet bashkëpunim nga Bullgaria dhe pasi të kenë marrë përgjigje nga atje, atëherë do të vendosin se si do të veprojnë.
Gjatë daljeve publike prokurorët për momentin ende nuk kanë përgjigje për pyetjen nëse ata kanë dërguar kërkesë urgjente tek autoritetet bullgare, si dhe nuk kanë përgjigje nëse është kërkuar ndihmë përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Gjyqësor (Eurojust).
KSHPK i mbron të dhënat personale dhe hetimin ndaj Hristovskit
BIRN kërkoi një kopje dhe qasje në certifikatën për njohje të gjuhës së huaj në lëndën që kundër drejtorit të ASK-së po zhvillohet nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Pas 20 ditësh pritjeje Komisioni nuk na dha qasje në certifikatën, me shpjegimin se do t’i cenoheshin të dhënat personale.
Rasti kundër Hristovskit është mbyllur dhe arkivuar. Edhe pse KSHPK-ja deri më tani ka lejuar qasje në lëndët e përfunduara, për këtë rast po arsyetohen se në vijim e sipër janë hetime paraprake nga Prokuroria e Shkupit. Janë të mendimit se kjo do të shkaktojë çrregullim të procedurës që po zhvillohet nga një institucion tjetër.
Dhe përderisa prokuroria pret ndihmë, e KSHPK-ja nuk e lejon inspektimin, të gjitha gjetjet e deritanishme të mediave ngrenë pikëpyetje për vlefshmërinë e certifikatës së Hristovskit.
360 Gradë i ka publikuar gjetjet sipas të cilave kompania “Julija”, nga e cila është marrë certifikata, nuk ka asnjë aktivitet afarist në regjistrin bullgar që nga viti 2017, ndërsa dokumenti i Hristovskit është nga viti 2022.
Ende është herët të thuhet nëse hetimi paraprak i Hristovskit do ta ketë të njëjtin fat si lënda nga viti 2016, kur 41 kandidatë për gjykatës dhe prokurorë u paraqitën se kishin dorëzuar certifikata të falsifikuara për njohje të gjuhës angleze.
Prokuroria e mbylli lëndën pas gjashtë vitesh, në dhjetor të vitit 2023. Pritej një përgjigje nga Mbretëria e Bashkuar nga ku certifikohen qendrat e testimit të gjuhës angleze. Ata kanë kërkuar vazhdimisht, por asnjëherë nuk morën përgjigje nëse certifikatat e lëshuara në Shqipëri ishin autentike.
Shpjegimi që BIRN mori nga prokuroria është se kandidatët “i janë nënshtruar provimit në një qendër provimi në Tiranë, Shqipëri”, por në momentin e dhënies së provimit dhe marrjes së certifikatës “gabimisht kanë besuar se ajo ishte një qendër provimi e autorizuar për provimin Bulats”.
Nga Prokuroria thonë se kjo ngjarje “nuk ka pasur pasoja të dëmshme”. Me këtë çështja është mbyllur. Publiku nuk e mori vesht asnjëherë nëse ndonjë nga kandidatët për gjykatës dhe prokurorë, të cilët ndërkohë kishin aplikuar për konkurset e reja, ishte përzgjedhur dhe po ndante drejtësi.
Kopje të palexueshme dhe “zgjidhje kreative”
Në mesin e certifikatave për njohje të gjuhëve të huaja BIRN gjeti edhe një tjetër nga një zyrtar shtetëror, i cili ishte marrë nga studioja “Julija” në Bullgari. Certifikata është e ish-drejtorit të Drisllës në Shkup.
Në kopjen përmbajtja e së cilës është thuajse të palexueshme, më shumë dallohet emri i kandidatit dhe titulli i shkruar në mes: “Test përgatitor TOEFL”. Drejtori ka dorëzuar edhe një certifikatë TOEFL, e cila ngjason me origjinalin, por si kopja ashtu edhe fotografia nuk janë shumë të lexueshme.
Përveç kësaj, kandidatët për funksione kanë gjetur një mënyrë tjetër “kreative” për ta marrë provimin.
Të gjithë ata që i janë nënshtruar një provimi për njohje të gjuhës së huaj të njohur ndërkombëtarisht e dinë se duhet të testojnë katër aftësi: të dëgjuarit, të lexuarit, të folurit dhe të shkruarit. Ata marrin nga një notë të veçantë për secilën nga këto pjesë dhe në fund nxirret një mesatare nga këto katër.
Por disa zyrtarë në vend të të gjitha pjesëve, duke dashur të marrin një certifikatë ndërkombëtare sa më lehtë, i kanë dhënë provimet sipas dëshirës.
Nga Qeveria BIRN mori kopje të disa certifikatave për njohje të gjuhës angleze nga disa ish-zyrtarë dhe aktualë të qeverisë.
Drejtori aktual i doganave, Boban Nikollovski, e ka dhënë provimin në prill të vitit 2023 në Qendrën e Gjuhëve të Huaja në Shkup, qendra e vetme e certifikuar për dhënien e provimit APTIS në Maqedoni. Por, ai nuk iu është nënshtruar të katër pjesëve, por vetëm dy prej tyre : të dëgjuarit dhe të lexuarit. Në një bisedë të shkurtër telefonike kur e pyetëm pse i ka marrë vetëm këto dy pjesë dhe jo të katërta për të marrë një notë të vetme, ai u përgjigj me pyetjen: “E ku shkruan se duhet t’i kem të gjitha pjesët?”.
Edhe pse dispozitat ligjore nuk e përcaktojnë shprehimisht se provimi konsiderohet i suksesshëm nëse kalohen të katër pjesët, profesorët e gjuhës angleze janë decid se certifikata konsiderohet e marrë kur kalohen të gjitha pjesët dhe merret një notë mesatare. “Në këtë mënyrë, vlerësohen njohuritë e përgjithshme e gjuhës,” na tha një profesoreshë e anglishtes, i cila kërkoi të mbetet anonime.
Nga Qendra e Gjuhëve të Huaja për BIRN thanë se “kandidatët vendosin vetë dhe aplikojnë për dhënien e provimit online në uebfaqen tonë”. Ata nuk mund t’i detyrojnë kandidatëve që të përgjigjen për të gjitha pjesët.
Nuk ka asnjë sistem për verifikim
Në vitin 2021 nga KSHPK-ja në një vendim për denoncim për certifikatë të rreme për drejtorin e Qendrës për Punë Sociale theksojnë se “nuk është krijuar një sistem i qartë për kontroll, mbikëqyrje dhe verifikim të besueshmërisë së certifikatave për njohje të gjuhëve të huaja të marra jashtë vendit”.
Edhe ish-drejtori i Entit Shtetëror për Pronësi Industriale i është nënshtruar vetëm pjesëve për të dëgjuarit dhe leximit, për çka ka marrë një certifikatë në vitin 2018.
Nga Qendra e Gjuhëve të Huaja për BIRN konfirmuan se që nga tetori i vitit 2023 këto certifikata kanë barkod dhe që atëherë vlefshmëria e testeve mund të kontrollohet shumë lehtë.
Një gjë jologjike shtesë në disa nga dispozitat ligjore për posedimin e një certifikate është se kërkohet që dokumenti të mos jetë më i vjetër se pesë vjet edhe pse këto certifikata, si p.sh. TOEFL, janë të vlefshme dy vjet, kështu që nëse kandidati e ka marrë provimin më shumë se dy vjet më parë, nuk mund të konsiderohet se ka një certifikatë të vlefshme.
E ndërkohë që policia dhe prokuroria po hetojnë nëse nëpër institucionet ka certifikata të tjera të falsifikuara, drejtorët e rinj po gjejnë mënyra për të marrë sa më shpejt një certifikatë, Qeveria propozon ndryshime ligjore sipas të cilave nuk do të kërkohet domosdoshmërisht një certifikatë ndërkombëtare nga TOEFL, IELTS, APTIS apo të tjera.
I tillë është, për shembull, Ligji i propozuar për Mbikëqyrjen Inspektuese.
Në të fshihen emrat e certifikatave të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa në zgjidhjen e re ligjore thuhet se ajo që kërkohet është: “një certifikatë e njohur ndërkombëtarisht ose një vërtetim i njohjes aktive të gjuhës angleze”.
Kjo praktikë ekziston edhe për ligjet e tjera të propozuara, siç është Ligji për Punët e Brendshme.