BDI ankohet te ndërkombëtarët, VLEN ia kujton “Listën e zezë” amerikane
Bashkimi Ddemokratik për Integrim, dje përmes një konference për media ka njoftuar se ka informuar zyrtarisht Bashkimin Europian, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi, siç kumtojnë, shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit. Ndërkaq, sot, koalicioni VLEN përmes një reagimi thekson se BDI është shpallur […]
Bashkimi Ddemokratik për Integrim, dje përmes një konference për media ka njoftuar se ka informuar zyrtarisht Bashkimin Europian, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi, siç kumtojnë, shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit. Ndërkaq, sot, koalicioni VLEN përmes një reagimi thekson se BDI është shpallur me vulë amerikane parti nongrata dhe se të gjitha informimet që dërgohen në ambasada bëhen vetëm për shkak të komunikimit digjital, sepse, si shkruan në komunikatë, në të kundërtën kjo parti e padëshiruar as që mund t’i afrohet rrethojave të amabsadave të huaja në vend, shkruan Portalb.mk.
“BDI, me Artan Grubin, Ramiz Merkon dhe një varg figurash të diskredituara, nuk ka kredibilitet të flasë për interesat kombëtare. Një parti e zhytur në afera korruptive dhe me përfaqësues të futur në listat e zeza amerikane nuk mund të pretendojë se informon faktorin ndërkombëtar. Ata mund të raportojnë në Kremlin, por jo te SHBA-të dhe partnerët tanë strategjikë, të cilët janë të vetëdijshëm për abuzimet dhe keqqeverisjen e BDI-së”, thuhet në reagimin e VLEN.
Nga VLEN zotohen se ata ndodhen në pushtet për të mos u bërë gabimet e njëjta, dhe për të bërë maksimumin e mundshëm për shqiptarët.
“Ky popull meriton më shumë e më mirë, këtë mund ta ofrojë vetëm koalicioni më i madh shqiptarë VLEN. BDI ka përfunduar në një kastër të kontaminuar me njerëzit që ka në krye që kanë zhvatur secilën pozitë e secilin institucion. Fatkeqësia më e madhe është sot se BDI deri dje ishte sy mbullur e memec teksa shqiptqarët kërkonin drejtësi për rastet e montuara, shqiptarët kërkonin punësime, shqiptarët kërkonin të përfaqësoheshin dinjetshëm. Këtë nuk e bëri BDI prandaj edhe sot është në opozitë”, shkruan më tutje në reagim.
Nga ana tjetër, dje BDI ka informuar zyrtarisht Bashkimin Europian, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit.
“Për më shumë se dy dekada, përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, është bërë përparim i rëndësishëm në integrimin e popullit të dytë më të madh në vend në strukturat shtetërore. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një prirje shqetësuese të kundërt, me përjashtim sistematik të shqiptarëve në shumë sektorë kyçë të qeverisjes dhe administratës publike. Në fushën e kulturës, ndarja e fundit e fondeve shtetërore tregon një mospërfaqësim të dukshëm të shqiptarëve, ku projektet shqiptare kanë marrë më pak se 12% të buxhetit, ndonëse shqiptarët përbëjnë midis mbi 29% të popullsisë së vendit”, thonë nga BDI.
“Në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, situata paraqitet edhe më alarmante: Asnjë shqiptar në mesin e 10 drejtorëve të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes. Asnjë shqiptar në mesin e 29 udhëheqësve të njësive brenda ministrisë. Vetëm 1 shqiptar mes 12 këshilltarëve kryesorë të ministrisë. Këto të dhëna dëshmojnë një proces sistematik të përjashtimit të shqiptarëve nga rolet vendimmarrëse në institucionet shtetërore, i cili vë në pikëpyetje përkushtimin e qeverisë ndaj qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe respektimit të Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë po rrezikohet struktura multietnike e shtetit”, thuhet më tutje në reagimin e BDI-së.
BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer.
Kujtojmë se, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj ish zëvendêskryeministrit, kuadër i BDI-së, Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Ndryshe, qeveria aktuale s’ka shfaqur interes për vendosjen e masave kundër personave të korruptuar ‘non-grata’, të përfshirë në Listën e zezë amerikane.
- LEXO: MPB publikoi fletarrestimet ndërkombëtare për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin
- LEXO: Kallëzime penale për ish-kryeministrin Kovaçevski, Grubin, Bajramin dhe 5 personat e tjerë të përfshirë në rastin “Lotaria”
- LEXO: U publikuan detaje nga rasti “Lotaria Shtetërore”, Prokuroria kërkoi paraburgim për Grubin dhe Bajramin
- LEXO: Përveç Grubit dhe Bajramit, nën hetim për keqpërdorimet në Lotarinë e RMV-së është edhe një ish-kryeministër