Çfarë është Fondi Evropian i Paqes përmes të cilit RMV përfitoi dhjetëra miliona euro ndihmë për Armatën?

Këshilli i BE-së, më 25 prill miratoi një masë ndihme me vlerë 15 milionë euro në kuadër të Fondit Evropian për Paqen (EPF). Qëllimi është forcimi i kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmëria e saj operacionale. Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar deri më tani në kuadër […]

Prill 26, 2025 - 16:02
 0  7
Çfarë është Fondi Evropian i Paqes përmes të cilit RMV përfitoi dhjetëra miliona euro ndihmë për Armatën?
Foto nga consilium.europa.eu/ ilustruar me ChatGPT

Këshilli i BE-së, më 25 prill miratoi një masë ndihme me vlerë 15 milionë euro në kuadër të Fondit Evropian për Paqen (EPF). Qëllimi është forcimi i kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmëria e saj operacionale. Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar deri më tani në kuadër të paketave të mbështetjes dypalëshe të vitit 2023 dhe 2024, duke e çuar mbështetjen dypalëshe të EPF-së për Maqedoninë e Veriut në 38 milionë euro deri më sot. Masa e re e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së dhe në çdo koalicion ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.

Por çfarë është Fondi Evropian i Paqes në kuadër të të cilit, vendi përfiton tashmë disa herë ndihmë?

Fondi u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për të parandaluar konfliktet, për të ruajtur paqen dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Në veçanti, Fondi Evropian i Paqes i lejon BE-së të financojë veprime të hartuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare që lidhen me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Për çfarë shërben Fondi Evropian i Paqes?

Fondi Evropian i Paqes është një instrument që synon të rrisë aftësinë e BE-së për të:

  • parandaluar konfliktet
  • ndërtuar dhe ruajtur paqen
  • forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar

Në një epokë kërcënimesh komplekse të sigurisë, Fondi Evropian i Paqes zgjeron aftësinë e BE-së për të ofruar siguri për qytetarët dhe partnerët e saj. Ai rrit ndikimin, efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e veprimit të përgjithshëm të jashtëm të BE-së në paqe dhe siguri, transmeton Portalb.mk.

EPF-ja zëvendësoi dhe zgjeroi instrumentet e mëparshme financiare në këtë fushë, përkatësisht Mekanizmin Athina dhe Fondin Afrikan të Paqes.

Fondi Evropian për Paqen Foto: consilium.europa.eu
Fondi Evropian për Paqen Foto: consilium.europa.eu

Si funksionon Fondi Evropian i Paqes?

Fondi Evropian i Paqes vepron përmes misioneve dhe operacioneve, si dhe përmes masave të ndihmës që përfitojnë vendet partnere dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Këto masa mund të përfshijnë furnizimin me:

  • pajisje ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen
  • infrastrukturë
  • mbështetje teknike

FPM-ja vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjin ndërkombëtar humanitar.

Sa është buxheti i Fondit Evropian të Paqes?

Fondi Evropian i Paqes është një fond me vlerë mbi 17 miliardë euro i financuar jashtë buxhetit të BE-së për një periudhë shtatëvjeçare (2021-2027), me një mekanizëm të vetëm për të financuar të gjitha veprimet në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) në fushat ushtarake dhe të mbrojtjes.

Kur u krijua në mars 2021, EPF kishte një kufi financiar fillestar prej 5.69 miliardë eurosh në çmimet aktuale.

Këshilli e rriti kufirin financiar në mars 2023 (me 2.29 miliardë euro), në qershor 2023 (me 4.06 miliardë euro) dhe në mars 2024 (me 5 miliardë euro). Shtesa e marsit 2024 është një Fond i dedikuar për Ndihmën e Ukrainës brenda Fondit Evropian të Paqes.

Kontributet nga shtetet anëtare përcaktohen bazuar në një çelës shpërndarjeje të të ardhurave kombëtare bruto (GNI).

Sa herë ka përfituar RMV përmes këtij Fondi?

Siç u njoftua nga Këshilli i BE-së, me vendimin e datës 25 prill dhe paketat dypalëshe të mbështetjes në vitet 2023 dhe 2024, ndihma totale e BE-së për vendin në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes (EPF) ka arritur në rreth 38 milionë euro.

Ushtarë, oficerë ushtarak. Foto Ministria e Mbrojtjes
Ushtarë, oficerë ushtarak. Foto Ministria e Mbrojtjes

Në vitin 2023, mbështetja prej 9 milionë euro u dedikua për blerjen e pajisjeve logjistike, pajisjeve mjekësore, sistemeve të komunikimit-informacionit, objekteve të inteligjencës, pajisjeve inxhinierike dhe pajisjeve stërvitore për nevojat e Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë të Ushtrisë. Pajisjet atëkohë u tha se do të prokurohen përmes ITF-së janë të koordinuara me profesionistë të Ushtrisë, gjë që është garanci se do të jetë në përputhje me nevojat tona dhe standardet më të larta të NATO-s.

Në vitin 2024, mbështetje prej 13 milionë eurosh, e cila synonte sikurse edhe këtë vit, forcimin e kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacione dhe misione në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.

Në vitin 2025, mbështetje prej 15 milionë euro, fonde që do të përdoren për të blerë pajisje të ndryshme – nga ato të destinuara për mbledhjen e informacioneve inteligjente dhe mbikëqyrje e deri te ato për qëllime trajnimi luftarak.