Çka po ndodhë në bisedimet SHBA-Iran në Islamabad, lajm pas lajmi
Një zhvillim i papritur ka shënuar bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat sipas burimeve pakistaneze kanë marrë një kthesë të re. Ndërsa negociatat po zhvillohen në Islamabad me ndërmjetësim, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar dhe deklaratat e fundit nga Uashingtoni kanë rritur edhe më tej pasigurinë. Nga ana tjetër, […]
Një zhvillim i papritur ka shënuar bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat sipas burimeve pakistaneze kanë marrë një kthesë të re. Ndërsa negociatat po zhvillohen në Islamabad me ndërmjetësim, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar dhe deklaratat e fundit nga Uashingtoni kanë rritur edhe më tej pasigurinë. Nga ana tjetër, Teherani po tregohet më i rezervuar në reagime publike.
Negociatat hyjnë në “fazën e ekspertëve”
Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se bisedimet kanë hyrë në një fazë më teknike, ku janë përfshirë grupe ekspertësh për çështje ekonomike, ushtarake, ligjore dhe bërthamore.
Sipas Teheranit, qëllimi tani është finalizimi i detajeve teknike të marrëveshjes.
Delegacioni iranian përbëhet nga 71 persona, përfshirë negociatorë, ekspertë dhe përfaqësues të sigurisë, ndërsa edhe pala amerikane ka angazhuar një ekip të gjerë specialistësh.
Kthesë: Bisedime të drejtpërdrejta mes palëve
Në një zhvillim të ri, burime iraniane dhe ndërkombëtare raportojnë se negociatat po zhvillohen drejtpërdrejt, “ballë për ballë”, dhe jo vetëm përmes ndërmjetësve si në raundet e mëparshme.
Pakistanit i është atribuar rol kyç si ndërmjetës në këto bisedime trilaterale.
Trump me deklarata të forta dhe provokuese
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar sërish gjatë zhvillimit të negociatave, duke bërë deklarata të forta në rrjetet sociale.
Ai pretendon se SHBA-ja ka “shkatërruar ushtrinë iraniane”, përfshirë flotën detare dhe aviacionin.
Trump gjithashtu deklaroi se Ngushtica e Hormuzit “do të hapet së shpejti” dhe se shumë tankerë të zbrazët janë në rrugë drejt SHBA-së për t’u furnizuar me naftë.
Sipas tij, bombardimet ndaj Iranit janë pezulluar përkohësisht, me kusht që Teherani të pranojë rihapjen e ngushticës.
Tensione në Hormuz: Versione të kundërta
Situata në Ngushtica e Hormuzit mbetet e paqartë dhe e tensionuar.
• Sipas Uashingtonit, disa anije luftarake dhe tankerë kanë kaluar me sukses përmes ngushticës.
• Ndërkohë, autoritetet iraniane i mohojnë këto pretendime, duke deklaruar se asnjë anije nuk ka kaluar që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
Teherani madje pretendon se një shkatërrues amerikan është detyruar të tërhiqet pas paralajmërimeve të forcave iraniane, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Lëvizje të para në tregtinë e naftës
Megjithatë, të dhënat e transportit detar tregojnë se disa supertankerë kanë kaluar përmes zonës, duke sinjalizuar një lëvizje të parë drejt normalizimit të furnizimit global me energji.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe strategjike, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.
Bisedimet mund të zgjasin deri të dielën
Burime nga Pakistani bëjnë të ditur se negociatat mund të zgjasin deri vonë gjatë natës, madje edhe të vazhdojnë gjatë së dielës, duke reflektuar kompleksitetin e çështjeve që po diskutohen.
Heshtje dhe “vija të kuqe” nga Teherani
Ndërsa Uashingtoni është më aktiv në deklarata publike, Teherani po ruan një qasje më të rezervuar, duke vendosur kushte dhe “vija të kuqe” që duhet të pranohen përpara arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.(INA/Agjencitë)