ÇMIMET SHTRENJTOHEN DHE MË SHUMË: Paga reale vlen 150 euro më pak se më 2020
Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mes...
Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë
Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mesatare ka kapërcyer kufirin e 86,000 lekëve në tremujorin e fundit 2025 vlera reale e saj ka mbetur shumë pas, për arsye se paga reale për të njëjtën periudhe ishte vetëm 72,225 lekë, 14,759 lekë më e ulët ose 17 % më pak se nominalja. Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.
Ndonëse pagat e qytetarëve janë rritur në vlerë monetare, fuqia e tyre blerëse po bie me hapa të shpejtë. Në tremujorin e fundit të 2025 hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale ishte -17% dhe ka pësuar zgjerim vitin e kaluar. Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %. Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale.
Këto të dhëna tregojnë se standardi i jetesës po përballet me presion, pasi pagat më të larta nuk kanë arritur të neutralizojë shtrenjtimin e jetesës, duke e lënë konsumatorin me një fuqi blerëse dukshëm më të dobët se në fillim të dekadës. Rritja e çmimeve po ecën me një hap shumë më të shpejtë sesa rritja e të ardhurave. Një faktor tjetër është vonesa e reagimit të tregut të punës. Ndonëse punëdhënësit po rrisin pagat nominale për të mbajtur stafin, këto rritje shpesh janë nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur muajt e mëparshëm.
Gjithashtu, politikat fiskale luajnë një rol negativ përmes fenomenit ku rritja nominale e pagës e kalon individin në një fashë më të lartë tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e rritjes të shkojë për taksa, ndërkohë që fuqia blerëse reale vazhdon të tkurret. Goditjet e njëpasnjëshme në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmëria e monedhës kanë bërë që vlerësimi real i parasë të pësojë rënie. Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet edhe për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave. (Monitor.al)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.