Çmimi i arit dhe argjendit arrin rekorde

Çmimi i arit ka arritur një tjetër nivel rekord, duke u tregtuar për herë të parë mbi 4,400 dollarë (3,275 paund) për onzë. Sipas analistëve, rritja e çmimit të metalit të çmuar lidhet me pritshmëritë se banka qendrore e SHBA-së do të ulë më tej normat e interesit vitin e ardhshëm. Ari e nisi vitin […] The post Çmimi i arit dhe argjendit arrin rekorde appeared first on InfoShqip.com.

dhjetor 23, 2025 - 10:30
 0
Çmimi i arit dhe argjendit arrin rekorde

Çmimi i arit ka arritur një tjetër nivel rekord, duke u tregtuar për herë të parë mbi 4,400 dollarë (3,275 paund) për onzë. Sipas analistëve, rritja e çmimit të metalit të çmuar lidhet me pritshmëritë se banka qendrore e SHBA-së do të ulë më tej normat e interesit vitin e ardhshëm.

Ari e nisi vitin me një vlerë prej rreth 2,600 dollarë për onzë, por tensionet gjeopolitike, tarifat e vendosura nga Trump dhe pritshmëritë për ulje të normave të interesit kanë rritur kërkesën e investitorëve për asete të sigurta, si ari dhe mallra të tjera.

Edhe çmimet e metaleve të tjera të çmuara u rritën të hënën, me argjendin që arriti gjithashtu një rekord historik. Çmimi i arit është rritur me më shumë se 68% këtë vit, rritja më e madhe që nga viti 1979, sipas Adrian Ash, drejtor i kërkimeve në tregun e arit BullionVault. Sipas tij, viti 2025 ka sjellë tendenca të ngadalta por të vazhdueshme rreth normave të interesit, luftërave dhe tensioneve tregtare, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të arit.

“Tregu i metaleve të çmuara tregon se presidenti Trump ka nxitur diçka të madhe dhe ari është ‘çmendur’ këtë vit. Kemi luftë tregtare, sulme ndaj Rezervës Federale të SHBA-së dhe tensione gjeopolitike; të gjitha këto provokime vijnë nga Trump”, u shpreh Ash.

Pasi kaloi nivelin e 4,400 dollarëve për onzë të hënën, çmimi i arit arriti një maksimum prej 4,426.66 dollarësh. Pritshmëritë për norma më të ulëta interesi zakonisht nënkuptojnë kthime më të ulëta për investime si obligacionet, ndaj investitorët orientohen drejt mallrave si ari dhe argjendi, jo vetëm për fitim, por edhe për të diversifikuar portofolet e tyre. Aktualisht, konsensusi i analistëve është se SHBA-të do t’i ulë normat e interesit dy herë gjatë vitit 2026.

Një tjetër faktor që po rrit kërkesën është fakti se bankat qendrore në mbarë botën po shtojnë rezervat e tyre fizike të arit, për t’u mbrojtur nga turbulencat ekonomike, për të ulur varësinë nga dollari amerikan dhe për të diversifikuar asetet e tyre. Sipas një analize nga ‘Goldman Sachs’, kjo prirje pritet të vazhdojë edhe në vitin 2026.

Rritja e qëndrueshme e çmimit të arit gjatë vitit shihet gjithashtu si një mënyrë për t’u mbrojtur nga inflacioni dhe pasiguria ekonomike, tha Anita Uright, planifikuese financiare e licencuar në Ribble Uealth Management.“Kur besimi në asetet financiare dhe stabilitetin e politikave fillon të lëkundet, ari zakonisht reagon i pari si metali kryesor monetar”, tha ajo.

Dobësimi i dollarit amerikan ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e çmimeve të arit, duke e bërë metalin më të lirë për blerësit jashtë SHBA-ve. Edhe metalet e tjera të çmuara kanë pasur një vit rekord. Çmimi i argjendit arriti nivelin historik prej 69.44 dollarësh për onzë të hënën. Gjatë vitit 2025 deri tani, argjendi është rritur me 138% nga fillimi i vitit, ndërsa platini ka arritur nivelin më të lartë në 17 vite, duke e tejkaluar ndjeshëm arin. Kjo rritje mbështetet nga kërkesa e fortë dhe kufizimet në furnizim, sipas analistëve.

Ndryshe nga ari, metalet e tjera të çmuara përdoren gjerësisht edhe në industrinë prodhuese, çka ndikon në rritjen e kërkesës për to. Ndërkohë, veçmas, çmimet e naftës u rritën të hënën, pasi SHBA-të urdhëruan javën e kaluar një bllokadë ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hynin dhe dilnin nga Venezuela.

Çmimi i naftës Brent u rrit me 1.31 dollarë duke arritur në 61.78 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 1.25 dollarë në 57.77 dollarë. Megjithatë, të dy treguesit pritet ta mbyllin vitin 2025 me çmime më të ulëta krahasuar me fillimin e vitit.

The post Çmimi i arit dhe argjendit arrin rekorde appeared first on InfoShqip.com.