CNN mohon manipulimin e videos që tregon Diddyn duke sulmuar Cassien

Avokatët e Sean “Diddy” Combs kanë ngritur akuza të reja lidhur me një video të vitit 2016, ku reperi shihet duke e sulmuar fizikisht ish-të dashurën e tij, këngëtaren Cassie Ventura. Kjo video është një nga provat kryesore në gjyqin ndaj reperit, të cilën e pati publikuar mediumi CNN. Sipas një letre të përbashkët drejtuar […]

Mars 14, 2025 - 16:00
 0  4
CNN mohon manipulimin e videos që tregon Diddyn duke sulmuar Cassien

Avokatët e Sean “Diddy” Combs kanë ngritur akuza të reja lidhur me një video të vitit 2016, ku reperi shihet duke e sulmuar fizikisht ish-të dashurën e tij, këngëtaren Cassie Ventura. Kjo video është një nga provat kryesore në gjyqin ndaj reperit, të cilën e pati publikuar mediumi CNN.

Sipas një letre të përbashkët drejtuar gjykatës nga ekipi i mbrojtjes dhe prokurorët, të cituar nga USA TODAY, avokatët e Combsit kanë kërkuar nga CNN kopjen origjinale të videos. CNN publikoi për herë të parë pamjet në muajin maj të vitit të kaluar, duke treguar momentin kur Combs sulmonte Cassien në një hotel në Los Anxhelos më 5 mars të vitit 2016.

Avokatët e reperit pretendojnë se një analizë forenzike e videos ka zbuluar se ajo është “ndryshuar ndjeshëm në disa aspekte të rëndësishme”. Sipas tyre, CNN mbuloi orën e videos dhe shpejtoi lëvizjet “për ta bërë të duket sikur ngjarja ka ndodhur më shpejt se sa në realitet”. Ata gjithashtu akuzojnë rrjetin televiziv se ka blerë kopjen e vetme të videos, e ka ngarkuar në një program për editim, e ka modifikuar dhe më pas e ka shkatërruar origjinalin.

Për këtë arsye, mbrojtja do të kërkojë që videoja të mos përdoret si provë në gjyq. Vetë Combs, përmes publikimit të një vidoje në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, e pati pranuar publikisht sjelljen e tij të dhunshme.

“Sjellja ime në atë video është e pajustifikueshme. Marr përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, ka thënë reperi në videon e publikuar vitin e kaluar. Megjithatë, avokati i tij kryesor e ka cilësuar videon si një dëshmi të një “marrëdhënieje toksike dhe përdorimit të drogës”, por jo si provë për trafikim seksual, siç pretendon prokuroria.

CNN mohon akuzat

Në një deklaratë për USA TODAY, përfaqësuesit e CNN kanë hedhur poshtë akuzat.

“CNN nuk ka ndryshuar videon dhe nuk e ka shkatërruar kopjen origjinale, e cila është ruajtur nga burimi”, kanë deklaruar përfaqësuesit.

Nga ana tjetër, avokatët e Combsit këmbëngulin në akuzat e tyre.

“Komunikimet tona me avokatët e CNN-it ishin të qarta, ata shkatërruan skedarin origjinal të videos që morën nga burimi”, kanë deklaruar avokatët e e reperit.

Cassie dhe prokurorët kundërshtojnë pretendimet e Combsit

Avokati i Cassie Venturas, Douglas H. Wigdor, përpjekjen e ekipit mbrojtës të reperit e ka quajtur manovër për të fshehur të vërtetën.

“Nuk është kurrfarë befasie që Combs do të përpiqej ta bllokonte këtë video nga paraqitja në gjyq. Unë jam i sigurt që videoja përfaqëson me saktësi atë që ndodhi, do të pranohet si provë dhe Combs do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të tmerrshme”, ka thënë ai për USA TODAY.

Prokurorët argumentojnë se videoja është një provë kyçe për të vërtetuar akuzat për trafikim seksual dhe keqtrajtim të grave nga Combs përmes festave të ashtuquajtura “freak offs” (të çmendura).

Në padi, prokuroria e akuzon reperin se “ka përdorur forcën, kërcënimet dhe shantazhin për të detyruar viktimat të përfshiheshin në akte të zgjatura seksuale”.

Ndërkohë, Combs vazhdon t’i mohojë të gjitha akuzat. Gjyqi për trafikim seksual ndaj tij pritet të fillojë më 5 maj. Ai mbetet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut pasi i është refuzuar tri herë kërkesa për mbrojtje në liri, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh.