Deklarata shtetërore e Sirisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Republikës Arabe të Sirisë ka bërë publike deklaratën zyrtare për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Ky zhvillim i rëndësishëm diplomatik u njoftua pas një takimi trilateral të mbajtur në Rijad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku morën pjesë përfaqësues […]


Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Republikës Arabe të Sirisë ka bërë publike deklaratën zyrtare për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Ky zhvillim i rëndësishëm diplomatik u njoftua pas një takimi trilateral të mbajtur në Rijad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku morën pjesë përfaqësues të Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës. Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave të reja për bashkëpunim dypalësh.
Në deklaratën zyrtare, Siria thekson se vendimi për njohjen e Kosovës bazohet në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe në përkushtimin për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
“Ky vendim është pjesë e politikës sonë të jashtme që synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vendet mike, në mënyrë që t’u shërbejë interesave të përbashkëta dhe të forcojë marrëdhëniet e miqësisë mes popujve,” thuhet në njoftim.
Siria gjithashtu ka falënderuar Mbretërinë e Arabisë Saudite për rolin e saj në afrimin e pikëpamjeve dhe mbështetjen e dialogut, që ka kontribuar në krijimin e kushteve për këtë hap historik.
Damasku ka bërë të ditur se pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në shërbim të interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve miq.