“Deputetet e PD u kërcënuan”, Bardhi: Nuk e pranojmë zerimin e opozitës në Kuvend
Opozita u largua nga salla në momentin që me kërkesë të PS-së u kalua në votim pas 2 orëve sherr. Bardhi tha se propozimi i Taulant Ballës për 1 minutë heshtje për masakrën e 2 prillit 1991 ishte provokim nga përfaqësuesi i partisë që vrau 4 të rinjtë. “Sot në një akt provokimi, përfaqësues i […]
Opozita u largua nga salla në momentin që me kërkesë të PS-së u kalua në votim pas 2 orëve sherr. Bardhi tha se propozimi i Taulant Ballës për 1 minutë heshtje për masakrën e 2 prillit 1991 ishte provokim nga përfaqësuesi i partisë që vrau 4 të rinjtë.
“Sot në një akt provokimi, përfaqësues i partisë që vrau 4 qytetarë në 2 prill 1991 provokoi deputetët e opozitës duke fyer familjet e tyre dhe duke kërkuar 1 minutë heshtje kur në sallë nuk kishte më shumë se 10 deputetë. Në shkelje të rregullores, kryetari i Kuvendit nuk na dha fjalën. Kërkova që heshtja solemne në nderim të 4 dëshmorëve të demokracisë të bëhej në një orar kur të 140 deputetët të ishin prezentë”, tha Bardhi.
Bardhi hodhi akuza edhe për sjelljen në sallë ndaj deputeteve të opozitës, duke deklaruar se ato janë kërcënuar.
“Deputete femra të opozitës u kërcënuan nga një njeri që për shkak të frikës që ka, nuk ka guximin të merret me burrat në Kuvend dhe është e disata seancë që merret me gratë,” tha ai.
Bardhi nuk shpjegoi se çfarë strategji do të ndjekë opozita në vijim, por ai theksoi se ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë zerimin e rolit të tyre në Kuvend, duke akuzuar Peleshin se është faji i tij që parlamenti nuk po funksionon më.
“Miratuan 7-8 projektligje pa asnjë diskutim, pa kuptuar çfarë po voton Kuvendi. Në mënyrën si po e katandis parlamentin Niko Peleshi, nuk do jetë e largët dita kur Kuvendi të mos funksionojë më. Sot kam listuar një sërë shkeljesh që lidhen me të drejtat e opozitës. Do duhej të kishim miratuar një rezolutë për procesin e integrimit dhe kryetari i kuvendit nuk guxon ti thotë qeverisë që ke shkelur ligjin dhe nuk ke raportuar. Kërkojmë interpelanca me kryeministrin ai nuk vjen dhe kryetari i kuvendit nuk guxon ti thotë që e ke detyrim të vish. Në këto kushte roli i opozitë tentohet të zerohet në Kuvend dhe ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë zerimin e rolit të opozitës në Kuvend. Shkaktar për atë që tentohet të provokohet në vijim është mazhoranca dhe Peleshi. Ka thirrur brenda ditës së sotme takim konsultativ me krerët e grupeve. Ne sot kemi një kryetar Kuvendi që nuk ka aftësi, kompetencën dhe kurajon për të ushtruar funksionin e numrit 2 të shtetit. Është kthyer në vartës të rëndomtë të ballës. Detyra e tij është ti qëndrojë strikt asaj që parashikon Kushtetuta dhe rregullorja. Nuk duam që kuvendi të jetë jofunksional, duam të jetë funksional por sipas standardeve minimale, s’po kërkojmë maksimalen. Ato që janë të drejta të opozitës, janë të drejta të opozitës”, tha Bardhi.