Derisa ASH-ja e Selës dhe Fetait po tentojnë të ngriten, çfarë po ndodhë me ASH-në e Taravarit?

Shkup, 16 shkurt – Aleanca për Shqiptarët nga subjekti i dytë në vend tani po kalon një periudhë të ndërlikuar, ku dinamika e brendshme duket se po krijon dy realitete paralele.… The post Derisa ASH-ja e Selës dhe Fetait po tentojnë të ngriten, çfarë po ndodhë me ASH-në e Taravarit? first appeared on Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk.

shkurt 16, 2026 - 17:00
 0
Derisa ASH-ja e Selës dhe Fetait po tentojnë të ngriten, çfarë po ndodhë me ASH-në e Taravarit?

Shkup, 16 shkurt – Aleanca për Shqiptarët nga subjekti i dytë në vend tani po kalon një periudhë të ndërlikuar, ku dinamika e brendshme duket se po krijon dy realitete paralele. Nga njëra anë, kemi ASH-në e udhëhequr nga Arben Taravari, e cila të dielën mbajti Kuvendin e gjashtë dhe formoi ekipin e ri drejtues që do të udhëheq deri në Kongresin e radhës. Nga ana tjetër, kemi Ziadin Selën dhe Arben Fetain, të cilët, ndonëse pa “vulat” formale të partisë, po tentojnë të ringjallin energjinë e dikurshme të Aleancës, shkruan Zhurnal.

Kriza e brendshme e ASH-së së Taravarit – 

Dorëheqjet e figurave kyçe fillimisht sekretarit gjeneral, Blerant Ramadani, dhe së fundmi sekretarit organizativ Gadaf Uzeiri janë sinjale të qarta të një krize të brendshme. Këto lëvizje nuk janë thjesht rotacione kadrovike, por tregojnë pakënaqësi të thella dhe mungesë kohezioni. Kongresi i gjashtë, megjithëse u paraqit si një hap përpara, u shënua nga mungesa e disa figurave të rëndësishme, duke e lënë përshtypjen se Taravari po udhëheq një parti të dobësuar.

Kjo mbase filloi prej kur Taravari mori vendim të prerë që ta braktis VLEN-in dhe t’i bashkëngjitet AKI-së që udhëhiqej nga Ali Ahmeti, vendim mbase që ra në kundërshtim me shumë figura brenda të cilët ishin opozitarë dhe kundërshtarë të përbetuar të Ahmetit. Nga ky bashkëpunim Taravari arriti t’i fitojë dy komuna, Gostivarin dhe Vrapçishtin, por që me gjasë humbjen nuk e ka llogaritur dhe tani kanë filluar të shfaqen sinjalet e para. 

Rikthimi i Selës dhe Fetait – 

Në anën tjetër, Ziadin Sela, themeluesi i ASH-së dhe Arben Fetai po tentojnë të ringjallin frymën e ASH-së së vërtetë, sipas tyre. Edhe pse nuk kanë strukturën formale të partisë, ata vlerësojnë se kanë kapital politik dhe moral, si dhe një bazë të caktuar mbështetësish. Vullneti i tyre për të punuar drejt rritjes së ASH-së është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Taravarit, duke krijuar një rivalitet që mund ta fragmentojë më tej subjektin.

Pra, nga një ASH e fuqishme kompakte tani funksionojnë tre fraksione, njëri rrezikon dorëheqje të njëpasnjëshme, njëri është në pushtet, dhe tjetri në opozitë. Se ku do të jetë ASH pas katër viteve është akoma enigmatike por ajo që është evidente dhe e qartë është fakti se nuk është aspak në gjendje të mirë. 

Çfarë e ardhme e pret ASH-në?

E ardhmja e Aleancës për Shqiptarët duket e paqartë. Nëse Taravari nuk arrin të konsolidojë ekipin e tij dhe të rikthejë besimin e figurave të dorëhequra, rrezikon të mbetet një lider pa bazë solide. Ndërkohë, Sela dhe Fetai, edhe pse pa instrumentet formale të partisë, mund të shndërrohen në një alternativ që tërheq energjinë e pakënaqësive që kanë figura të shumta. Kjo situatë e dyfishtë mund ta dobësojë ASH-në në afat të shkurtër, por gjithashtu mund të krijojë hapësirë për një riformatim të saj në afat të gjatë.

Aleanca për Shqiptarët gjendet në një udhëkryq historik mes një strukture formale të udhëhequr nga Taravari, e cila po përballet me dorëheqje dhe krizë besimi, dhe një fryme alternative të udhëhequr nga Sela e Fetai, që po tentojnë të ringjallin idealin e themelimit. /Zhurnal.mk

The post Derisa ASH-ja e Selës dhe Fetait po tentojnë të ngriten, çfarë po ndodhë me ASH-në e Taravarit? first appeared on Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk.