Skandali me fondet e Gaddafit, ish-presidenti francez përballet sërish me drejtësinë
Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, rikthehet sërish në bankën e të akuzuarve në Paris për një proces të ri gjyqësor lidhur me dyshimet se mori financime të paligjshme nga regjimi i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale. Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, mohon çdo akuzë. Megjithatë, vitin e kaluar ai u […]
Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, rikthehet sërish në bankën e të akuzuarve në Paris për një proces të ri gjyqësor lidhur me dyshimet se mori financime të paligjshme nga regjimi i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale.
Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, mohon çdo akuzë. Megjithatë, vitin e kaluar ai u dënua me pesë vite burg për komplot kriminal në lidhje me këtë skemë të dyshuar financimi. Ai u bë ish-lideri i parë i një vendi të Bashkimit Europian që vuajti dënim me burg dhe gjithashtu presidenti i parë francez i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore që përfundoi pas hekurave.
Ish-presidenti kaloi rreth 20 ditë në një burg në Paris, përpara se të lirohej në nëntor ndërsa pritej vendimi për apelimin. Ai më pas publikoi edhe një libër për periudhën e kaluar në qeli, të cilën e përshkroi si një përvojë të rëndë dhe si “një makth”.
Sipas prokurorisë franceze, marrëveshja e dyshuar daton që në vitin 2005, kur Sarkozy ishte ministër i Brendshëm. Hetuesit pretendojnë se ai mund të ketë rënë dakord me regjimin e Gaddafit për të marrë para për fushatën presidenciale të vitit 2007, në këmbim të mbështetjes diplomatike për Libinë në arenën ndërkombëtare.
Në gjyqin e parë, Sarkozy u shpall fajtor vetëm për një akuzë për komplot kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për tre akuza të tjera, përfshirë korrupsionin dhe financimin e paligjshëm të fushatës. Tani, me nisjen e procesit të ri në apel, ai do të gjykohet sërish për të gjitha katër akuzat.
Nëse shpallet fajtor, Sarkozy, tashmë 71 vjeç, rrezikon deri në 10 vite burg. Në këtë çështje janë gjithsej 10 persona që po përballen me rigjykim në gjykatën e apelit në Paris.