Dëshmia tronditëse e Jovanit të ri për zjarrin në Koçan: U laga me ujë, thyem një derë dhe filluam t’i nxjerrim njerëzit (VIDEO)
Gjimnazisti Jovan Kostadinov nga Vinica, i cili shpëtoi një numër të madh jetësh në zjarrin katastrofik në Koçan foli në opinion për veprat e tij heroike. Në një nga rrjetet sociale u shfaq një video xhirim në të cilin ai flet se si në natën fatale ka nxjerrë të rinj nga diskoteka “Puls” në Koçan. […]


Gjimnazisti Jovan Kostadinov nga Vinica, i cili shpëtoi një numër të madh jetësh në zjarrin katastrofik në Koçan foli në opinion për veprat e tij heroike. Në një nga rrjetet sociale u shfaq një video xhirim në të cilin ai flet se si në natën fatale ka nxjerrë të rinj nga diskoteka “Puls” në Koçan. Edhe pse ai ishte larguar nga objekti, ai është kthyer në diskotekë pa hezitim disa herë, duke nxjerrë jashtë një turmë të madhe djemsh dhe vajzash, disa prej tyre të djegur dhe në gjendje gjysmë të vetëdijshëm, njofton Portalb.mk.
Ai në video flet për skenat e tmerrshme dhe shqetësuese. Njerëz të bllokuar në diskotekë, pa ndjenja. Ai nuk ka pasur mundësi që të hyjë përmes derës së vetme e cila ka qenë për hyrje dhe dalje nga diskoteka sepse ka qenë e bllokuar nga turma e njerëzve, ndaj ka zgjodhur një alternativë tjetër.
“Nga brenda dëgjoheshin vetëm britmat e vajzave. Mora një tavolinë, theva dritaren dhe spërkata ujë brenda me zorrë, ata bërtisnin. I spërkata me ujë për dy-tre minuta. Pastaj mora zorrën, u laga, ndërsa ata qëndruan ende për t’i spërkatur. Shkova në hyrjen kryesore, por aty kishte shumë njerëz të bllokuar dhe nuk kishte asnjë mënyrë për të hyrë. hyra në atë dhomë, atje kishte katër ose pesë persona, dera ishte e bllokuar nga njerëzit që ishin të ngujuar, e theva derën dhe filluam t’i nxjerrim një nga një, ata që ishin më lartë të gjithë bërtisnin, ishin të djegur, kishte edhe të alivanosur. Që atëherë në fillim dhe derisa kishte persona të vetëdijshëm dhe derisa të gjithë lëviznin shkonte më shpejt, ata që nxirreshin dilnin vetë para diskotekës, por më pas filluan të nxirren vetëm persona të alivanosur, filluan vetëm ata me djegie të plota dhe thjeshtë ti duhet ta nxjerrësh jashtë deri para diskotekës në vend të sigurtë. Nxjerr dikë deri para derës, e pastaj dikush tjetër e merrte. Pas kësaj filloi të më merren mend dhe filloi të më villet nga gjithë ajo që e pash, nga ajo që qanin, që bërtisnin dhe ishin gjithë të djegur dhe pas kësaj filloi të më merren mend dhe unë dola jashtë dhe kur dola jashtë atëherë mora frymë, mu lehtësua dhe atëherë rash në gjunj dhe shumë u përkeqësova, për fat të mirë dikush ishte afër meje, më lanë me ujë”, thotë Jovani në dëshminë e tij.
Me hapat e tij humane ai ka vazhduar deri sa është transportuar me automjetin e ambulancës në spital.
“Unë pas kësaj u freskova pak atje, kishte shumë vajza të shtrira dhe një vajzë rrinte e shtrirë anash. Isha shumë keq, sytë më digjeshin dhe më merreshin mendt. Më hypën në një veturë, në veturë kishte edhe dy me mua, të vetëdijshëm, unë ua mbaja kokat drejtë. Kur i dërguam në spital direkt i vendos në oksigjen, kontrolluan se nëse kanë puls. Në spital ishte kaos”, dëshmoi Jovani.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: Taravari: 16 të lënduar nga Koçani do të lirohen në shtëpi, katër në gjendje kritike pasi janë në fazën e infeksioneve
- LEXO: Do të ndryshohet Ligji për rendin dhe qetësinë, do të vihet rend në përdorimin e mjeteve piroteknike
- LEXO: Është zgjeruar në 11 ekipi i prokurorëve që hetojnë rastin në Koçan, do të merren në pyetje 300 dëshmitarë