Detaje nga hetimet nga tragjedia në Koçan: Të dyshuar 47 persona fizikë, 3 persona juridikë
Tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan ku vdiqën 61 persona po hetohet nga 13 prokurorë. Deri më tani të dyshuar janë 47 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Ndaj 19 të dyshuarve të rinj janë kërkuar masa sigurie, shkruan Portalb.mk. Siç bëri të ditur prokurori publik shtetëror Ljubomir Kocevski, për 4 persona kërkohet […]


Tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan ku vdiqën 61 persona po hetohet nga 13 prokurorë. Deri më tani të dyshuar janë 47 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Ndaj 19 të dyshuarve të rinj janë kërkuar masa sigurie, shkruan Portalb.mk.
Siç bëri të ditur prokurori publik shtetëror Ljubomir Kocevski, për 4 persona kërkohet paraburgim, për 7 persona arrest shtëpiak me ndalim komunikimi dhe për 7 të tjerë janë propozuar masa parandaluese.
Një nga të dyshuarit nuk ndodhet brenda shtetit.
Hetimi përfshin një sërë ish-zyrtarësh dhe aktualë, lëshimet e të cilëve lejuan që klubi të funksiononte pa i plotësuar kushtet.
Kocevski tha se në mesin e të dyshuarve janë edhe tre ish-kryetarë komunash dhe tre inspektorë ndërtimor nga Komuna e Koçanit, të cilët sipas hetimeve nuk kanë kryer fare kontroll inspektues edhe pse objekti në mënyrë të kundërligjshme ishte shndërruar në objekt hoteliere.
“Gjithashtu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka dyshuar për tre persona të cilët ndër vite nuk kanë bërë asnjë inspektim apo monitorim të objektit. Ata me veprimet e tyre të papërgjegjshme i ekspozuan qytetarët në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Kocevski.
Hetimi përfshin dhe dy sekretarë shteti, një ish-ministër i ekonomisë dhe tre punonjës në sektorin e hotelerisë dhe turizmit të së njëjtës ministri, të cilët si kanë mundësuar klubit të marrë licencat dhe të vazhdojë funksionimin edhe pse ishte i paligjshëm.
Të dyshuar janë edhe katër inspektorë nga Inspektorati i Tregut, si dhe tre inspektorë të tjerë që kanë qenë pjesë e fazës së mëparshme të hetimit.
Autoritetet hetimore po zhvillojnë procedim edhe ndaj shtatë punonjësve të policisë.
Në hetim janë të përfshirë edhe pronarët dhe drejtuesit e diskotekës, përdoruesit e mjeteve piroteknike, rojet e sigurisë.
“Hetimi është në vazhdim dhe po ndërmerren veprime të reja hetimore”, tha Kocevski.

Kocevski theksoi se ministri aktual i Ekonomisë nuk është pjesë e hetimeve, sepse pronari i klubit nuk ka paraqitur kërkesë për licencë të re gjatë mandatit të tij.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka thënë se edhe tragjëditë keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët dhe se kjo është padrejtësi edhe ndaj viktimave të Koçanit .
“Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski duke thënë se “do t’i kapim për veshi” dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet në praktikë nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga ASh Ziadi Sela.
Sipas tyre, arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me parapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjedinë e Koçanit kanë dy qëllime:
- Të fshehin përgjegjësit e vërtetë duke filluar nga kryeministri, ministri i punëve të brendshme dhe drejtuesit aktual të organeve kompetente, lokale dhe qendrore.
- Të frikësojnë shqiptarët, të shtypin shqiptarët dhe të shkaktojnë revoltë dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimi nga problemet dhe përgjegjësitë reale.
“Padrejtësia, arrestimi dhe akuzat ndaj personave që nuk kanë përgjegjësi për këtë rast dhe keqpërdorimi politik dhe etnik i këtij rasti, vlerësojmë se është edhe padrejtësi ndaj vetë viktimave dhe familjarëve të tyre, të cilët më së shumti presin drejtësi dhe jo keqpërdorim të dhimbjes së tyre”, thanë nga ASh Ziadin Sela.
Lidhur me këtë tragjedi dhe mënyrën se si po trajtohet nga shteti, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se sjellja e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Hristijan Mickoskin është shqetësuese, sepse në vend që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike.
“BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë. Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike”, theksuan nga BDI.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 47 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.